Ndërlidhjet


Vazhdon shtrenjtimi i çmimit të bukës në Kosovë. Shumë nga prodhuesit e bukës e kanë rritur çmimin nga 35 në 45 cent. Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës se Furrtarëve të Kosovës, thotë se ngritja e çmimit të bukës ka ardhur pas ngritjes se çmimit të grurit, por edhe produkteve të tjera.

“Përveç miellit, edhe faktorët tjerë, gjegjësisht përbërësit tjerë të bukës, si vaji, sheqeri, kripa, pastaj edhe energjia elektrike, gazi, derivatet e naftës e shumë produkte te tjera, kanë pësuar ngritje të çmimit. Furrtarët janë të shtrënguar dhe të shqetësuar që patjetër të dalin më çmime tjera ose furrave të tyre t'ua vënë çelësin”, tha Xoxa.

Por, sa herë që është folur për ngritjen e çmimit të bukës, qytetarët kanë qenë më të pakënaqurit.

Sadedin Mujezini, pensionist nga Prishtina, thotë se ngritja e çmimit të bukës do të rëndojë edhe me tepër standardin jetësor. Ai tregon se në familje janë gjashtë anëtarë, e të cilët varen vetëm nga pensioni i tij.

Ndërkaq, vetëm për bukë, për një muaj ai tash do të shpenzojë afër 55 euro.

“Unë i blej katër bukë në ditë. Tashme kjo ngritje e rëndon shumë buxhetin, sepse unë jam pensionist dhe i marr vetëm 80 euro, dhe më këtë shumë e mbaj krejt familjen time".

"E më se shumti në Kosovë përdoret buka. Brenga jonë është se kur shtrenjtohet buka, shtrenjtohen të gjitha produktet”,
thotë Mujezini.

Çmimi i bukës është i papërballueshëm për shumicën e qytetarëve kosovarë, thotë edhe Ibrahim Zeqiri nga Prishtina.

“Pikërisht ata që jetojnë më ndihma sociale e kanë problem ta përballojnë këtë situatë. Por edhe ata që punojnë më paga minimale 200-300 euro e kanë problem ta përballojnë këtë çmim shumë të lartë".

"Meqenëse shteti nuk ka rezerva, këtu janë problemet. Prapë do të vazhdojë ngritja e çmimit, sepse ne varemi nga importi. Duhet të punohen më tepër tokat nëpër Kosovë, sepse me gjithë ngritjen e çmimit, njerëzit prapë nuk po punojnë”,
thotë Zeqiri.

Shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës e ka shprehur edhe Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës. Ali Dragusha nga kjo sindikatë, thotë se kjo e vështirëson edhe më tepër jetën e qytetarëve.

“Edhe një rendim tjetër i jetës dhe punës se qytetarëve, duke pasur parasyshë se artikulli, siç është buka, është artikulli kryesor dhe nuk është artikull i luksit, por është artikull shumë i domosdoshëm".

"Prandaj, shtrenjtimi i bukës ndikon shumë keq në jetën e qytetarëve. Mirëpo, me keqardhje duhet të them se do të ndikojë edhe më keq në përshpejtimin e trazirave të mundshme sociale”,
pohon Dragusha.

Ndryshe, çmimi i bukës që peshon më pak se 500 gram, në fund të muajit dhjetor ishte ngritur nga 30 në 35 respektivisht 40 cent, kurse aktualisht vazhdon të shitet për 45 cent.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG