Ndërlidhjet

Opozita: Pazar politik


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Subjektet politike që janë përcaktuar të rrinë në opozitë kanë kritikuar vendimin e PDK-së për të lidhur koalicion me Aleancën Kosova e Re, duke i lënë kësaj të fundit, postin e presidentit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes përgjegjësit për informim Kujtim Shala, ka thënë se ajo që doli nga takimi i djeshëm i Këshillit Drejtues të PDK-së, i cili dha dritën jeshile për koalicionin e ardhshëm qeverisës, ishte një proces i pastër politik dhe i interesave e ambicieve personale të personave të caktuar.

“Ky është një proces i pastër politik, marrëveshje politike, apo më saktësisht një kushtëzim politik. Ju e dini se presidenti duhet të jetë përfaqësues që duhet të përfaqësojë vullnetin e gjithë qytetarëve të Kosovës jo vetëm të partive politike dhe kur një president dominohet në një mënyrë të tillë, s’ka si ta ketë atë funksion”, tha Shala.

Anëtarë brenda PDK-së patën insistuar që kandidat për president të jetë Jakup Krasniqi, por në takimin që zgjati tre orë, u morr vendim, që ky post t’i lihej AKR-së.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se marrëveshja është “një pazar politik e lidhur mes dy kryetarëve të partive, për interesa personale”.

Ymeri hedh dyshime se Pacolli, që është kandidat për president i AKR-së, përfaqëson unitetin e kombit.

“Ai nuk përfaqëson popullin shqiptar fare. Duhet ta kemi parasysh se nuk është puna vetëm e votave. As AKR-ja e as Pacolli nuk kanë numra të mjaftueshëm të votave për ta përfaqësuar popullin shqiptar, por e dyta që është më serioze dhe më e rëndësishme është që programi i Bexhet Pacollit dhe deklarimet e tij politike nuk janë fare përfaqësuese e as mbrojtëse të interesit të vullneti të popullit të Kosovës".

"Prap po e them, që Pacolli do të bëhet ndoshta president i Kosovës vetëm si pjesë e një pazari politik, e assesi si përfaqësues e as si meritë e tij dhe as për shkak të besimit, që i është dhënë nga qytetarët e Kosovës”,
tha Ymeri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila u tërhoq nga negociatat për koalicion meqë PDK-ja nuk plotësoi kushtin e saj që posti i kryeministrit t’i takojë kësaj partie, apo që në krye të ekzekutivit të mos jetë Hashim Thaçi e vlerëson koalicionin e ardhshëm si “shkatërrues” për institucionet.

Nënkryetari Ahmet Isufi shpjegon më shumë...

“E vlerësojmë si marrëveshje të mëhershme për shkatërrimin e institucioneve të Kosovës, sepse të dy partitë kanë kontribuar që vendi ët shkojë në gjendje të jashtëzakonshme dhe kjo ka ndodhur si pasojë e të gjitha zhvillimeve edhe nga zgjedhjet që kanë dalë me shumë diskutime dhe që kanë rezultuar me votën e manipuluar".

"Prandaj, krejt përgatitjet që në fillim kanë qenë që të ndodhi kjo që ka ndodhur dje në ditën e të dashuruarve normalisht që ka treguar një simbolikë, për këto dy parti”,
tha Isufi.

Partitë opozitare hedhin dyshime edhe për programin e ardhshëm qeverisës, meqë siç thonë, nuk ka përputhje mes subjekteve që janë pjesë e Koalicionit Kosova e Re.

Nga ky koalicion, janë zgjedhur deputetë nga radhët e Partisë së Drejtësisë, asaj Social-Demokrate dhe të grupit të ekspertëve.

Kujtim Shala i LDK-së thotë se do të jetë vështirë që të përafrohen qëndrimet.

“Nuk ka një program qeveritar. Nuk e dimë përbërjen e qeverisë, të asaj që do të propozohet si kabinet, e që do të votohet ose jo. Ne s’kemi parë një program qeverisës, por duke pasur parasysh përbërjen e Koalicionit për Kosovën e Re, ku janë parti politike totalisht të ndryshme, mendoj se është tepër e vështirë që të përafrohen, që të kenë pikëtakime të shumta themelore, që do të mund të prodhonin një program qeverisës efikas”, tha Shala.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se në koalicionin e ardhshëm qeverisës PDK-AKR, strukturat janë të përziera dhe pa profil të caktuar.

“Paramendoni qe partia e z Pacolli ka vetëm katër deputetë, duke mos llogaritur ata që kanë hyrë nga partitë tjera në koalicion dhe çfarë uniteti mund të paraqesë për Kosovën, sidomos edhe me të gjitha ato që janë thënë në opinion. Prandaj konsiderojmë se janë kalkulime në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe kjo do ta dobësojë edhe më shumë imazhin e Kosovës, qoftë në arenën ndërkombëtare, qoftë te qytetarët e Kosovës”, u shpreh Isufi.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, që ka qenë gjatë gjithë kohës, kundër negociatave me Serbinë, shfaq druajtjen se koalicioni i ardhshëm do bëjë koncesione me Serbinë në dëm të Kosovës.

Visa Ymeri thotë se të dëmshme nuk do të jenë vetëm bisedimet, por edhe zhvillimet e brendshme, siç është privatizimi.

“Ky koalicion do të jetë koalicion i negociatave me Serbinë, ku do të diskutohen, jo çështjet teknike siç po thuhet, por rregullimi territorial dhe institucional i Kosovës, pra vetë statusi i vendit. Do të jetë koalicion i privatizimit të egër të çdo gjëje publike që do të synojë të fillojë me PTK-në, për të vazhduar me KEK-un, Trepçën e kështu me radhë”, theksoi Ymeri.

PDK i ka bërë ftesë të hyjë në koalicion edhe Listës Ibrahim Rugova, që ka vetëm një deputet dhe komuniteteve pakicë. Në ditët e ardhshme pritet të konkretizohen detajet e marrëveshjes si dhe ndarja e resorëve.
XS
SM
MD
LG