Ndërlidhjet

Klinton: Lindja e Mesme të ndryshojë


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton
Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme janë lëkundur nga ngjarjet e fundit dramatike në Tunizi dhe Egjipt, ku protestat në rrugë i përmbysën dy sundimtarë. Vendet tjera në rajon janë frymëzuar. Në një intervistë për televizionin Alhurra, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e kritikon shtypjen brutale të protestuesve në Iran dhe u bën thirrje vendeve në rajon të implementojnë reforma ekonomike dhe politike.

Alhurra

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se bota arabe dhe myslimane ndodhet para një tërmeti. A e ndani përshkrimin e tij?

Hillari Klinton
Mendoj se ndryshimi po ndodh dhe se është diçka, për të cilën administrata dhe unë personalisht jemi angazhuar, sepse ne besojmë se është në interesin më të mirë, jo vetëm të rajonit, por edhe të njerëzve, veçanërisht të rinjve, që të kenë mundësi t’i gëzojnë reformat ekonomike, politike dhe demokratike.

Alhurra
Ju, si Shtetet e Bashkuara, a do ta përshtatni politikën apo strategjinë ndaj Lindjes së Mesme pas këtij ndryshimi?

Hillari Klinton
Ne vazhdimisht e kemi thënë të njëjtën gjë, por kuptohet është sfidë e vërtetë të komunikosh qartë në momente të tilla si ky. Ne kemi thënë se jemi kundër çdo dhune nga kushdo, jemi për të drejtat universale të njerëzve dhe sidomos gjatë tri javëve të shkuara të popullit të Egjiptit, si dhe jemi për ndryshime politike.

Në fjalimin që e mbajta në Doha, kah fundi i vitit, thashë se themelet e regjimeve po fundosen në rërë. E thashë këtë, sepse na frustron kur shohim se miqtë tanë të mirë e të talentuar nuk kanë mundësi ta bëjnë më të mirën që munden në mjediset e tyre. Shpresoj se do të shohim ndryshime nga brenda, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të ndodhë.

Alhurra
Kur u kërkuat liderëve të bëjnë reforma dhe të ndryshojnë shoqërinë e tyre, ata nuk e ndryshuan. Ata nuk kishin kohë të ndryshonin. A mendoni se ende kanë kohë për t’i bërë reformat e duhura?

Hillari Klinton
Po. Mendoj se në shumë shtete, hapja e ekonomisë dhe përfundimi i korrupsionit, të përcjellë me bazë të gjerë të shoqërisë civile, mund ta çojnë vendin drejt reformave politike dhe, përfundimisht, drejt demokracisë. Të gjitha këto janë pranë duarve të çdo qeverie në rajon.

Alhurra
Dje dhe gjatë fundjavës biseduat me udhëheqës ndërkombëtarë lidhur me Egjiptin. A jeni të kënaqur me hapat që i ka ndërmarrë armata e Egjiptit, dhe si e shihni rrugën më tutje?

Hillari Klinton
Kjo varet nga populli i Egjiptit, por sigurisht shpresa jonë është se do të zbatohet gjithçka që është premtuar, si heqja e ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme, reformat kushtetuese, lejimi i partive politike, pra të gjithë përbërësit e kalimit të vërtetë drejt demokracisë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pas kësaj.

Alhurra
Disa udhëheqës të opozitës në Egjipt kanë ngritur shqetësime për rolin e ardhshëm të ushtrisë. A ndani shqetësime të tilla?

Hillari Klinton
Mendoj se është e rëndësishme që opozita dhe shoqëria civile të mblidhen së bashku rreth një numri kërkesash dhe afatet për zabtimin e tyre, pasi ushtria e ka bërë të qartë se dëshiron të lëvizë në drejtimin e duhur.

Nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga opozita që të ndihmojë orientimin e Egjiptit në të ardhmen. Shpresoj që të shohim një opozitë të ndryshme nga ajo që kemi parë gjatë tri javëve të fundit. Shpresoj të shohim një opozitë të bashkuar jo rreth personaliteteve, por rreth kërkesave konkrete që duhet të përmbushen në mënyrë që tranzicioni të jetë i suksesshëm.

Alhurra
Si do t’u përgjigjeni zërave në rajon që thonë se SHBA-të i braktisën aleatët?

Hillari Klinton
Duhen reforma dhe duhet ndryshimi. Ne nuk kemi qenë të suksesshëm, njësoj si nuk kanë qenë të tillë as opozita apo shoqëria civile egjiptiane. Presioni vetëm sa rritej dhe rezultatin e pamë gjatë tri javëve të fundit.

Së bashku me miqtë tanë kemi një mesazh shumë të qëndrueshëm: Duhet të ketë ndryshime. Është ende e mundur, në fakt e dëshirueshme, që këto ndryshime të bëhen në mënyrë të rregullt e paqësore. Kryesorja është që reformat duhet të sjellin ndryshim, në veçanti për të rinjtë.

Alhurra
Pas Tunizisë dhe Egjiptit demostrata ka pasur në Algjeri, Jemen e Baharein. Cili është mesazhi juaj për protestuesit në këto vende?

Hillari Klinton
Të mbeten paqësore, jo të dhunshme. Kjo është ajo që funksionoi mirë në Egjipt dhe arsyeja është se ju jep një mbështetje të jashtëzakonshme, pasi dilni protestoni, por pa përdorur mjete dhune. Vazhdoni të mbroni të drejtat universale, por kuptojeni se ndryshimi është proces dhe duhet të jeni të vullnetshëm të jeni pjesë e procesit.

Alhurra
Presidenti Ahmadinexhad tha se do të jetë një Lindje e Mesme e re pas asaj që ndodhi në Egjipt, një rajon ku nuk do të ketë vend për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Cili është reagimi juaj?

Hillari Klinton
Është ironik fakti se Irani jep mësime demokracie. Flisni për revolucionin që u rrëmbye nga një grup pa dhënë rezultatet e pritura dhe shembulli klasik është Irani. Ajo çfarë Irani po i bën popullit të vetë, edhe në këto momente që flasim, është shtypje brutale e atyre që po përpiqen të ngrenë zërin.

Ata po shtypen brutalisht nga forcat iraniane të sigurisë dhe nuk besoj se dikush në Lindjen e Mesme apo në botë do të shohë nga Irani si shembull. Ky nuk është destinacioni ku dikush dëshiron të arrijë - një vend me diktaturë ushtarake e përzier me një lloj teokracie që nuk përputhet me të drejtat universale të popullit iranian. Në këtë kuptim, nuk ka shumë për të mësuar nga Irani kur vjen puna te demokracia.

Alhurra
Autoritetet siriane do të heqin bllokadën pesë vjeçare ndaj Facebook-ut dhe presidenti Al Assad ka thënë se do të lëvizë drejt reformave politike këtë vit. Si i shihni këta hapa?

Hillari Klinton
Dua t’i shoh në praktikë këta hapa pozitivë. Vetëm një angazhim me fjalë nuk do të japë ndryshimet që populli kërkon. Shpresoj që fjalët e tij të pasohen nga veprat.

Alhurra
Pas Egjiptit dhe Tunizisë, kush e ka radhën?

Hillari Klinton
Kjo varet nga popujt e rajonit. Ajo që ne shpresojmë është një angazhim i vazhdueshëm për reforma ekonomike dhe politike. Ua tërhoqa vërejtjen miqve tanë në rajon gjatë fjalimit që mbajta në Doha. Tani shumë prej tyre po shohin për të gjetur rrugët që të shënojnë përparim. Ne duam që kjo të ndodhë.(i.b. & v.p.)

Intervistë me Hillari Klinton
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:44 0:00

XS
SM
MD
LG