Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 6 muaj kohë për përmirësime


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësues të shoqërisë civile, partive opozitare dhe mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë diskutuan për trajtimin e raporteve ndërkombëtare nga institucionet përgjegjëse. Ata kritikuan qasjen e deritashme të qeverisë në këtë drejtim, ndërsa folën edhe për sfidat e ardhshme lidhur me përmirësimin e kritikave, siç thanë, serioze që dalin nga raportet që këto organizata kanë publikuar deri më tani.


Qeveria e ardhshme e Kosovës do t’i ketë rreth gjashtë muaj kohë për t’i përmirësuar kritikat që dalin nga raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian.

Kjo u bë e ditur gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme ku u diskutua për “Raportet ndërkombëtare si instrument presioni”.

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Patrik Schmelzer, njoftoi se në Bruksel është vendosur tashmë që data e fundit për dorëzimin e vlerësimeve për përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja në terren, do të jetë 1 shtatori, ndërsa të dhënat e para duhet t’i dërgohen Komisionit Evropian qysh në fillim të muajit maj.

“Vlerësimet tona të para, të cilat duhet t’i dorëzojmë, duhet të jenë në Bruksel më 2 maj. Pra, nëse ia hedhim një sy kalendarit jemi gati në mars; pra, do ta kemi marsin dhe prillin që mund t’i marrim parasysh për të krijuar produktin e parë, të cilin do t’ia dorëzojmë Brukselit”,
u shpreh Schmelzer.

Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, karshi të arriturave që pati përmendur në kriteret politike, sidomos lidhur me procesin e decentralizimit, vuri në pah dhe ekzistimin e mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, ndikimin politik në emërimin e gjykatësve dhe mungesën e lirisë së shprehjes.

Përveç Raportit të Progresit, Klubi për Politikë të Jashtme, përgjatë muajve të shkuar kishte analizuar afro tridhjetë raporte të tjera ndërkombëtare për Kosovën të publikuara nga organizata të ndryshme si Freedom House, Transparency International, Banka Botërore, Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe të tjera.

Hajrullah Çeku nga Klubi për Politikë të Jashtme, foli për vendin që zë Kosova në këto raporte krahasuar me rajonin dhe botën.

“Në shumicën e këtyre raporteve kemi parë që Kosova radhitet në pozitë - ose afër ose njësoj me shtetet si Nigeria, Uganda, Senegali, Burundi, Kongo, Gaboni, Mozambiku, e mos t’i përmendi të tjerat. Në raport me shtetet e rajonit, Kosova gati gjithmonë gjendet në vendin e fundit dhe në nivel rajonal jemi mjaft keq në raport me këto shtete”
, tha Çeku.

Reagimi i qeverisë ndaj raporteve ndërkombëtare dhe puna për të përmirësuar kritikat që dalin nga to, u vë në qendër të debatit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, mori si shembull zhvillimet që pasuan publikimin e raportit “Të bërit biznes”, që Banka Botërore publikoi në nëntor të vitit të kaluar, për të shpjeguar sjelljen e qeverisë dhe të, siç i quajti ai, medieve të afërta me qeverinë ndaj bashkëpunuesve të organizatës që përpiloi raportin.

“Një gazetë ditore publikoi emrat e të gjithë atyre që ishin kontaktuar gjatë përpilimit të raportit dhe në këtë farë forme, tentohej që të frikoheshin të gjithë ata, të cilët bashkëpunojnë me përpiluesit e këtyre raporteve”.


“Ky është një fakt shumë shqetësues dhe Qeveria e Kosovës, në vend se të adresojë qartë dhe të hartojë plane veprimi se si të zgjidhen këto probleme, ka zgjedhur të konfrontohet me organizatat, të cilat ndihmojnë në përpilimin e këtyre raporteve”,
sqaroi Demi.

Përdorimi i raporteve ndërkombëtare, sipas drejtorit të organizatës “Fol”, Ramadan Ilazi, dallon nga përfaqësuesit e opozitës dhe atyre që janë në pushtet. Ilazi kritikoi qasjen qeveritare ndaj këtyre raporteve.

“Nëse i marrim dhe i shikojmë deklaratat e zotit Thaçi - është lideri që më së shumti ka cituar raportet ndërkombëtare si lider i opozitës, kurse sot është kundërshtuesi më i madh i vetë raporteve me ndihmën e të cilave ka arritur të ndërtojë argumente kundër qeverisjes që ishte në pushtet në kohën e tij”,
u shpreh Ilazi.
XS
SM
MD
LG