Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Skenar i koalicionit qeveritar


Kalaja e Shkupit

Kalaja e Shkupit

Përfaqësuesit e sektorit civil, si dhe intelektualët e pavarur kërkuan nga Qeveria, njëherësh dhe partitë politike, të ndërmarrin masa për tejkalimin e situatës së tensionuar pas incidentit të së dielës që eskaloi në dhunë mes protestuesve shqiptarë dhe atyre maqedonas në Kalanë e Shkupit

“Mbase jo me përmasat, që u manifestua dhuna të dielën e kaluar, por besoj se incidente do të ketë përsëri. Megjithatë, vlerësoj se qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të bien pre e këtyre provokimeve dhe skenarëve të këtillë”
, tha Vllado Dimovski, kryetar i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike.

Dimovski theksoi se incidenti në Kalanë e Shkupit është një skenar i përgatitur nga partnerët e koalicionit qeveritar, që ka për qëllim prishjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe defokusimin e opinionit nga problemet, me të cilat ballafaqohet vendi.

Ndërkohë, forcat e policisë mbeten edhe më tej të stacionuara në Kalanë e Shkupit, derisa ka paralajmërime përmes rrjeteve sociale për protesta të reja po në këtë vend ku janë ndërprerë punimet për ndërtimin e kishës-muze, thekson zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhevat Buci.

“Kontributi ynë do të jetë maksimal në të gjitha aspektet që në të ardhmen mos të ndodhë asnjë lloj incidenti dhe për të mos eskaluar situata ashtu siç eskaloi të dielën. Unë, si zyrtar partiak, po njëherësh dhe si zëvendësministër, do të angazhohem maksimalisht që të mos përsëritet incidenti i së dielës”,
theksoi Buci.

Partitë politike janë ato, të cilat mund ta vënë me sukses situatën në kontroll, nëse vërtet dëshirojnë një gjë të tillë, konsideroi ish-ministri i dikasterit të Policisë, Pavle Trajanov, aktualisht deputet që përfaqëson Lidhjen Demokrate, pjesë e koalicionit qeveritar.

“Ashtu siç ka mekanizma që të motivohet anëtarësia e partive politike për të dalë në rrugë, ekziston mundësia që ata të ftojnë elektoratin e tyre për tolerancë dhe qetësi; për t’i rrënuar muret që ekzistojnë në ndarjen midis tyre. Pra, ka mundësi që të evitohen ngjarjet e ndryshme për të mos eskaluar në dhunë”,
u shpreh Trajanov.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Tregtarëve, Ekrem Daliku, ku bën pjesë dhe “Çarshia e Shkupit” pranë Kalasë, vlerësoi se protesta që eskaloi në dhunë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, është pasojë e krizës brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, krizë e cila reflektohet më pas dhe në popull.

“Sipas mendimit tim, këto janë lojëra që lindin nga përfaqësuesit e qeverisë dhe disa kokave të nxehta, siç është drejtori për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman”,
konsideroi Daliku.

Ai nënvizoi se strukturat udhëheqëse duhet të fokusohen në përmirësimin e standardit jetësor, e jo të shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit me projekte që prodhojnë konflikt.

“Fatkeqësisht, qytetarët e thjeshtë kanë rënë në grackën e një politike devijuese nacionaliste të qeverisë. Si kryetar i një shoqate multinacionale, e cila funksion dhe ka bashkëpunim të shkëlqyer mes etnitetit shqiptar dhe atij maqedonas, u apeloj qytetarëve që të mos lejojnë të bien në grackën e lojërave të fëlliqura të politikëbërësve”,
nënvizoi Daliku.

Edhe organizata joqeveritare “Civil” tha se një përgjegjësi e madhe për përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike, i takon kësaj Qeverie.

“Kjo ka të bëjë sidomos me faktin e sjelljes dhe zbatimit të projekteve që nuk kanë asnjë lidhje me nevojat dhe realitetin e këtij vendi”,
tha drejtuesi i organizatës “Civil”, Xhabir Deralla, duke kërkuar ndërprerjen urgjente të projekteve qeveritare që nuk e reflektojnë realitetin, ngase në të kundërtën hapja e një konflikti të ri ndëretnik, do të jetë katastrofal për Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG