Ndërlidhjet

Isufi: Nuk jam kandidat


Ahmet Isufi
Ahmet Isufi
“Nuk jam kandidat për president”, thotë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, një ditë pasi emri i tij është përmendur si një kundër-kandidat i mundshëm i Behxhet Pacollit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Isufi nuk përjashton mudnësinë që nga AAK-ja, apo edhe nga vetë opozita, të ketë një kandidat që do të sfidonte kandidaturën e Pacollit.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, emri juaj është lakuar si kandidat i mundshëm për president, krahas kandidatit të AKR-së. Çka ka të vërtetë në këtë mes?

AHMET ISUFI
Nuk është e vërtetë, më shumë është spekulim. Ka të bëjë me interesim të mediave dhe qarqeve të caktuara, që unë nuk e di. Me mua nuk ka biseduar askush në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Po brenda AAK-së është diskutuar një mundësi e tillë, qoftë ju, apo dikush tjetër, të jeni kandidat?

AHMET ISUFI
Besoj se në ditët në vijim, do të kemi takime në AAK. Do të shohim se si do të jetë gjendja në votimin për president të Kosovës dhe do të kemi një vendim të përbashkët.
Prandaj, konsideroj se deri më tani është vetëm fillimi. Më vonë shohim se a kanë edhe partitë tjera ndonjë kandidat, i cili do të mund të sfidonte zotin Pacolli.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të bashkëpunoni edhe me partitë tjera opozitare për të pasur një kandidat si bllok opozitar?

AHMET ISUFI
Këtë do ta vlerësojmë në organet tona të partisë. Momentalisht, nuk ka asgjë të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë mbase një kandidat nga opozita...?!

AHMET ISUFI

Në mandatin e kaluar ne kemi pasur një kundër-kandidat. Prandaj, mund të ketë edhe kësaj here kundër-kandidat të zotit Pacolli. Do të shohim se si do të venë punët, nëse ka ndonjë marrëveshje të partive opozitare, të cilat mund të kenë një president konsensual.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mund të funksiononin institucionet me një formulë të tillë, kur presidenti nuk i takon koalicionit qeverisës?

AHMET ISUFI
Realisht, tani ne kemi të bëjmë me një gjendje faktike me numra në Parlamentin e Kosovës, kur partitë, të cilat konsiderohen në opozitë, kanë më shumë deputetë shqiptarë, sesa ata që janë në pozitë.

Prandaj, kjo mund ta ndryshojë edhe gjendjen në përzgjedhjen e presidentit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 21 shkurt, pra të hënën e ardhshme. Çfarë qëndrimi do të mbajë AAK-ja, a do të votojë nëse i kërkohet për presidentin dhe për miratimin e qeverisë së re?

AHMET ISUFI
Ne do të kemi një vlerësim në këshillin e partisë dhe nga ky vlerësim do të kemi pozicionin tonë. Megjithatë, në këtë moment konsiderojmë se jemi parti opozitare, prandaj do të kemi rolin tonë opozitar.
XS
SM
MD
LG