Ndërlidhjet

Shtimi i ministrive ngarkon buxhetin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Qeveria e ardhshme pritet të ketë ndryshime. Edhe pse asgjë zyrtare, është folur se asaj do t’i shtohen ministri të reja, si dhe në vend të dy, do të ketë katër zëvendëskryeministra.

Ndërsa asgjë nuk është konkretizuar, e as përbërja e re qeveritare, ish-drejtues të qeverisë dhe analistë politikë vlerësojnë se Kosova nuk ka mundësi buxhetore për rritjen e numrit të ministrive.

Sipas tyre, edhe numri prej 18 ministrive aktuale është shumë i madh.

Ish-kryeministri Bajram Kosumi konsideron se ideja për shtimin e ministrive ka ardhur, pasi, siç thotë ai, partia fituese e zgjedhjeve duhet të bëjë kompromise dhe premtime për të arritur numrin e mjaftueshëm të votave në formimin e qeverisë se re.

“Mandatari i qeverisë duhet të bëjë koncensione, duhet që pjesëtarëve, anëtarë të koalicionit, t’iu bëjë shumë kompromise, t’iu japë shumë ministri, t’iu japë shumë poste qeveritare dhe kjo e detyron të shtojë numrin e ministrive”.

“Numri aktual i ministrive nuk mjafton për të gjithë, prandaj detyrohet ta shtojë. Mendimi im personal është se edhe ky numër që ekziston i ministrive, është i panevojshëm”,
deklaron Kosumi.

Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka numrin më të madh të ministrive -18 dhe dy zëvendëskryeministra. Maqedonia i ka 14 ministri dhe katër zëvendëskryeministra; Shqipëria ka 15 ministri dhe një zëvendëskryeministër, kurse Mali i Zi ka 17 ministri dhe dy zëvendëskyeministra.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se nëse do të ketë rritje të numrit të ministrive, ato do të bëhen kryesisht për pazare politike.

Matoshi konsideron se Kosova do të duhej të kishte një qeveri me numër minimal të ministrive.

Kosova, në pozicionin që ka, ndër vendet më të varfra në Evropë, do të duhej të kishte një qeveri minimaliste, me 10-12 resore ministrore”.

“Ideja për krijimin e 18-20 e më shumë ministrive objektivisht është luks i tepërt për Kosovën. Dhe këtu, praktikisht, ministritë e reja krijohen për t’i kënaqur apetitet politike të politikanëve të ndryshëm, të cilet praktikisht, nëse mbesin jashtë pushtetit, nuk do ta ndihmonin ose nuk do ta votonin më partinë konkrete
”, thotë Matoshi.

Kosumi, në kohën kur ka qenë kryeministër, thotë se kanë ekzistuar vetëm 13 ministri dhe, siç shprehet ai, në kuadër të tyre kanë ekzistuar edhe zyra, të cilat tashmë janë shndërruar në ministri.

Në qeverinë e re të Kosovës thuhet se mund të ketë katër zëvendëskryeministra. Një gjë e tillë për Kosumin është më e pranueshme, sesa të shtohet numri i ministrive.

Nëse ka katër fusha që janë prioritet për qeverinë, mund të ketë katër zëvendëskryeministra. Në këtë rast, secili mund të mbulojë një fushë prioritare për qeverinë. Kjo nuk e ngarkon buxhetin, sepse të ketë një zëvendëskryeministër ose dy më shumë ose më pak nuk nënkupton edhe një infrastrukturë të tërë administrative, siç nënkupton ministria”, thekson Kosumi.

Por, Matoshi e kundërshton mundësinë e emërimit të katër zëvendëskryeministrave.

“Absolutisht, kjo do të ishte megalomane, sepse objektivisht mjafton një zëvendëskryeministër. Por, këto funksione iu dhurohen njerëzve për hir të kënaqësisë së apetiteve politike”, thotë Matoshi.
XS
SM
MD
LG