Ndërlidhjet

Thaçi: Qeveria e re të hënën


Kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Qeveria e re e Kosovës do të fillojë punën nga e hëna e ardhshme, tha sot kryeministri në largim, Hashim Thaçi.

Këto komente, ai i bëri gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë në largim, të cilën e ka falënderuar për punën e bërë gjatë mandatit tashmë të përmbyllur.

Në cilësinë e mandatarit të ardhshëm, Thaçi tha se Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me partnerët në koalicion, ka arritur të krijojë një mazhorancë në Kuvend, që do të garantojë një qeverisje stabile për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

“Në përgjegjësinë time si kryeministër dhe mandatar për formimin e qeverisë së re, për mandatin e ri katërvjeçar, të cilin pritet ta fillojmë nga fillimi i javës së ardhshme, pasi që kuvendi i ri me deputetë të rinj do të mblidhet këtë të hënë, dëshiroj të them se tanimë unë jam në përfundim të negociatave me partitë politike partnere, me të cilat do të punojmë shumë në realizimin e Kosovës evropiane e të zhvilluar”, tha Thaçi.

Ndonëse e cilësoi si shumë të suksesshëm procesin e fundit zgjedhor, Thaçi tha se angazhimi i parë i qeverisë së re do të përqendrohet në reformat zgjedhore. Ai tha se do t’i iniciojë këto reforma dhe se pjesë e tyre do të jenë edhe partitë opozitare.

“Do të kemi një bashkëpunim të mirë, të ri, të pandodhur më herët në raportet pozitë-opozitë. Ky bashkëpunim do të jetë për të mirën e vendit, të mirën e shtetit dhe të të gjithë qytetarëve. Natyrisht se Kosova do të ketë pozitë dhe opozitë, por do të kemi shumë gjëra që më tepër do të na ofrojnë në bashkëpunim me opozitën në parlament, për reformat demokratike në politikë, ekonomi dhe në legjislacion”.

“Dëshiroj të theksoj se një nga hapat e parë që do t’i ndërmarrë si kabinet i ri qeveritar, pra nga java e ardhshme, do të jetë fillimi i reformës zgjedhore”,
theksoi Thaçi.

I bindur se tashmë ka siguruar mbështetjen e Kuvendit për qeverinë e re, Thaçi tha se po i vazhdon edhe konsultimet me Brukselin për përmbushjen e agjendës evropiane, ku ai veçoi liberalizimin e vizave brenda 15 muajve si dhe dialogun me Beogradin.
Thaçi tha se ishte i bindur që dialogu me Beogradin do të përmbyllet me njohjet reciproke ndërmjet dy shteteve.

Të hënën pritet konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës dhe nëse marrëveshja për koalicion, siç edhe është paralajmëruar, do të nënshkruhet këtë javë, pritet që po të hënën Kuvendi të mblidhet sërish për të zgjedhur qeverinë e re.
XS
SM
MD
LG