Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit debatoi për Kosovën


Serbia ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të zhvilloj hetime të pavarura lidhur me akuzat për trafikim të organeve ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Por, ambasadorët e shteteve perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe sundim të ligjit, EULEKS, në Kosovë, që tashmë i ka filluar hetimet preliminare lidhur me këto akuza, mund ta hetoj këtë çështje.

Në këtë këtë temë, në seancën e mbrëmshme, pos tjerash, foli edhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo:

“EULEKSi- e ka juridiksionin dhe mandatin që të merret me krime të luftës. Është marrë me çështje të ngjashme në të kaluarën dhe do ta ketë peshën e plotë të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të tij për ta mbështeturë këtë. Ne e përshëndesim mbështetjen e deklaruar nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë për hetim të këtillë. Ne nuk besojmë se një mekanizëm ad-hok i Kombeve të Bashkuara, është i domosdoshëm ose është përkatës në dritën e mandatit të Bashkimit Evropian”, tha Rosemary Di Carlo.

Ambasadorët e Britanisë dhe të Gjermanisë shprehën qëndrime të ngjashme me ato të Shteteve të Bashkuara, por kërkesa e Serbisë është mbështetur nga aleati i saj, Rusia.

Për ministrin e jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, zgjidhja për këtë çështje është krijimi i një mekanizmi ad-hok të krijuar nga OKB-ja.

“Është pozicion i Republikës së Serbisë, se zgjidhja qëndron në ndërtimin e një mekanizmi hetues ad-hok, të krijuar dhe që i përgjigjet Këshillit të Sigurimit. Ky ishte rast në të gjitha instancat, që involvonin krimet e luftës në Ballkan, me ç’rast kryerësit e secilës palë i takojnë atij, pavarësisht nga roli i tyre politik. Vetëm me aksion nëpërmjet të Këshillit të Sigurimit, ne mund të parandalojmë krijimin e perceptimit për stadnarde të dyfishta në administratën e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Vuk Jeremiq.

Në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e Kosovës, Vlora Çitaku, e akuzoi raportin e Dik Martit, për trafikim të organeve njerëzore, duke thënë se “deri tash nuk ka sjellur asnjë provë”.

Në këtë kuadër ajo theksoi:

“Duke e liruar imagjinatën, por duke dështuar që të sjellë çfarëdo lloj prove, raporti i Martit mëtutje, pretendon se zyrtarët e lartë të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe të Shteteve të Bashkuara, kanë pasur dijeni për këtë dhe e kanë toleruar këtë keqbërje të dyshuar. Qeveria e Kosovës në mënyrë të qartë dhe të ashpër i ka hedhur poshtë akuzat e këtilla në raportin e Martit. Megjithë lëndimin e thellë të ndjenjave të secilit kosovar, raporti poashtu, për fat të keq, e ka dëmtuar edhe reputacionin tonë ndërkombëtar”, tha Vlora Çitaku.

Në seancën, që përfuzndoi mbrëmë vonë, disa ambasadorë të vendeve të ndryshme, i uruan Kosovës, trevjetorin e pavarësisë.
XS
SM
MD
LG