Ndërlidhjet

Serbët nuk e shohin Kosovën si shtet


Graçanicë (Foto nga fushata për zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë)

Graçanicë (Foto nga fushata për zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë)

Politikanët serbë të Kosovës shprehin mendime të ndryshme lidhur me atë se çfarë e karakterizon vendin në trevjetorin e pavarësisë së tij. Megjithëkëtë, ata thonë se serbët që jetojnë në Kosovë, për arsye të ndryshme, ende nuk e shohin atë si shtet të tyre.


Kosova sot shënon trevjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, ndërkohë që ky fakt nga liderët politikë serbë në Kosovë shikohet në mënyra të ndryshme.

Petar Miletiq, sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberale Serbe, parti kjo e cila ka marrë pjesë në institucionet e Republikës së Kosovës, flet me indiferencë për faktin se Kosova po e shënon përvjetorin e tretë të pavarësisë së saj, të cilën tashmë e kanë njohur 75 vende të botës.

“Ne po përpiqemi që për bashkësinë serbe të krijojmë kushte sa më të mira për jetesë dhe jemi të vetëdijshëm se një gjë e tillë nuk ndryshon, gjegjësisht as nuk e fillon e as e mbaron, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, madje e as me njohjen e saj nga ana e disa shteteve. Thjesht, gjatë gjithë këtyre viteve, ne kemi punuar për një qëllim të vetëm, mbijetesën e bashkësisë serbe në Kosovë”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Miletiq.

Ndërsa, një prej liderëve politikë të serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, anëtar i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se pavarësisht njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga 75 shtete dhe mbështetjes së vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, ky shtet nuk do të mund të jetojë.

“Kosova nuk mund të jetojë, duke pasur parasysh se nuk është anëtare e asnjë organizate ndërkombëtare. Ajo kurrë nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara nëse këtë nuk e dëshiron Serbia. Pjesa më e madhe e banorëve të Kosovës, para së gjithash shqiptarët, në një mënyrë jetojnë sikur në një ishull, për të mos thënë sikur në një kamp”,
shprehet Jakshiq.

Ndërkaq, politikani serb i Kosovës qendrore, Rangjel Nojkiq, nga Lista e Përbashkët Serbe, vlerëson se tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, të paktën mund të thuhet se është përmirësuar situata sa i përket lëvizjes së lirë të serbëve. Por, sipas tij, Kosova tash po ballafaqohet me humbjen e mirëbesimit të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ajo që e karakterizon përvjetorin e tretë të pavarësisë, në veçanti, është raporti i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe ndaj atyre që aktualisht janë në pushtet. Më duket se kjo, para së gjithash, është një rënie e imazhit të Kosovës apo rënie e mbështetjes ndaj saj”.

“Kjo ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve që ishin dhe vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare se këto zgjedhje nuk kanë qenë demokratike në kuptimin e vërtetë. Në anën tjetër, edhe raporti i Dik Martit e ka lëkundur në një masë pamjen idilike, e cila tregohej në periudhën e kaluar”
, thekson Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, të gjithë këta politikanë serbë thonë se edhe pas tre vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, serbët e këtij vendi e injorojnë këtë fakt dhe nuk e ndjejnë Kosovën si shtet i tyre. Miletiq, thotë:

“Mendoj se për bashkësinë serbe ka gjëra më të rëndësishme, sesa shënimi i trevjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ne kemi ende mjaft probleme në shoqërinë kosovare dhe ne do të përpiqemi që në mandatin e ardhshëm që është para nesh, ta përmirësojmë gjendjen”.


Ndërsa, Jakshiq thotë se në veriun e Kosovës, pavarësia e këtij vendi nuk luan fare ndonjë rol të rëndësishëm për serbët.

“Këtu, në veriun e Kosovës, ne faktikisht nuk e ndjejmë këtë të ashtuquajtur shtet të pavarur të Kosovës, sepse në secilin segment të jetës, në një mënyrë jemi të lidhur me Republikën e Serbisë apo shtetin serb. Kështu që, gjatë këtyre tri viteve ne nuk kemi ndonjë përvojë dhe absolutisht nuk jemi të lidhur me Prishtinën”
, thotë Jakshiq.

Por, indiferencën e shumicës së bashkësisë serbe ndaj pavarësisë së Kosovës, si dhe injorimin e saj nga ana e tyre, Nojkiq e shpjegon duke thënë se kjo po ndodh për shkak se pozita sociale e serbëve të Kosovës ende varet nga Beogradi.

“Kjo do të zgjasë për aq kohë sa Beogradi do t’i karakterizojë serbët si qytetarë të saj dhe t’ju ofrojë ndihma financiare. Rreth 80 për qind të serbëve nga hapësira e Kosovës jetojnë nga financimi prej Beogradit. Përderisa të zgjasë kjo situatë, serbët do ta konsiderojnë Serbinë si shtetin e tyre amë”,
shpjegon Nojkiq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG