Ndërlidhjet

Ekonomia në vitet e pavarësisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjendja ekonomike nuk ka shënuar ndonjë përparim të theksuar, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, edhe gjatë kësaj periudhe, gjendja sociale, investimet e huaja dhe ato vendore, nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim.


Vitet e pavarësisë së Kosovës, nuk kanë qenë në favor të zhvillimit ekonomik, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, edhe tre vjet pasi Kosova është bërë shtet i pavarur, nuk ka pasur ndonjë përmirësim të gjendjes socio-ekonomike, ndërkaq investimet e huaja, për të cilat është pritur se do të rriten pas pavarësisë së vendit, kanë shënuar rënie.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se gjatë kësaj periudhe, Kosova ka kaluar në një proces të rëndë ekonomik, sepse është ballafaquar me krizën globale financiare, me raporte ndërkombëtare jo të kënaqshme për Kosovën, si dhe me një zhvillim të ngadalësuar ekonomik.
Kosova ka marrë një epitet jo të mirë viteve të fundit ...

“Kosova ka marrë një epitet jo të mirë viteve të fundit se në Kosovë është i pranishëm joformaliteti, korrupsioni, nepotizmi, trafikimet e ndryshme dhe këto u kanë dërguar vendeve mike, të cilat kanë bërë shumë për pavarësinë e Kosovës, një mesazh jo të pritshëm për atë që kanë dëshiruar të presin nga Kosova”
, thotë Shahini.

Në disa raporte të mekanizmave ndërkombëtarë, gjatë kësaj periudhe, Kosova është kritikuar për gjendje jo të mirë ekonomike, në veçanti për një ambient të pafavorshëm për investitorët e huaj.

Në këto hulumtime është thënë se, edhe pse Kosova ka sektorë të mjaftueshëm për investime, problemet e shumta në këta sektorë dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të hezitojnë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Në anën tjetër, Mustafë Hasani, kryeshef në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të huaja, që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtyre viteve ka pasur një rënie të investimeve të huaja, por arsyet, sipas tij, nuk gjenden në Kosovë.

“Kjo mund të kuptohet se edhe në nivelin global, janë dy elemente që janë precizuar; e para - nuk ka rritje të investimeve të huaja në nivelin global për vitin 2010, për shkak se bizneset veprojnë më ngadalë se sa është duke ecur kriza”.

“Dhe, e dyta - një element pozitiv është se shumë kompani që janë multinacionale që janë të vendosura në vendet që konsiderohen më se shumti investuese, siç është Kina, India, Singapori po lëvizin në drejtim të Evropës Juglindore”,
shpjegon Hasani.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë shënuar rënie që nga shpallja e pavarësisë.

Në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro; më 2008 - vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro; ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.

Sipas Shahinit, po gjatë viteve të pavarësisë, nuk ka pasur as përmirësim të kushteve për komunitetin e biznesit, respektivisht të sektorit privat.

Ai pohon se pas shpalljes së pavarësisë së vendit, kur serbët lokalë kishin djegur dy pikat kufitare në veri të Kosovës, komuniteti i biznesit është ballafaquar me rritjen e ekonomisë joligjore, ekonomi kjo që, sipas tij, ka ndikuar në çrregullimin e tregut kosovar.

“Bizneset ende ballafaqohen me kriza të ndryshme,qoftë ato për integrim, qoftë ato për eksport, qoftë kriza financiare. Fuqia blerëse në Kosovë është vazhdimisht në rënie dhe ne jemi në atë formën, ku më se paku dëshiroj të theksoj, por qytetarët dhe bizneset tashmë janë duke thënë 'më mirë dje, se sot' ”
, thekson Shahini.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Agron Demi, ndërkaq përmend mosndryshimin e gjendjes sociale gjatë tre vjetëve të shtetësisë. Ai, madje, vlerëson se gjendja sociale gjatë kësaj periudhe ka shkuar duke u përkeqësuar dhe jo duke u përmirësuar.
Të gjitha të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, tregojnë se gjendja sociale në vend është duke u përkeqësuar dhe jo duke u përmirësuar.


“Të gjitha të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, tregojnë se gjendja sociale në vend është duke u përkeqësuar dhe jo duke u përmirësuar. Nëse i marrim të dhënat e papunësisë për vitin 2010, papunësia ka qenë 45 për qind, që është e njëjtë me shkallën që është treguar në vitin 2006
”, nënvizon Demi.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se nevojitet ndërmarrja e masave urgjente nga qeveria e re, për t’ju qasur problemeve të shumta.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje tashmë kanë theksuar përpjekjet për luftimin e ekonomisë joligjore dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për investitorët e huaj dhe ata vendorë.

Lexoni edhe këto:
Parametra negativë për zhvillim ekonomik
Ndikimi i politikës tek investitorët e huaj
XS
SM
MD
LG