Ndërlidhjet

Qeveria e Maqedonisë përgëzon shënimin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës, u shpreh zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylhaqim Ademi.

Ai theksoi se realiteti i ri i krijuar në Ballkan kontribuon në instalimin e një paqeje të qëndrueshme për tërë rajonin, me Kosovën si faktor stabiliteti.

Që atëherë e deri më tani janë nënshkruar një varg marrëveshjesh bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë, si dy vende fqinje në disa lëmi. Në përgatitje e sipër është marrëveshja që do të intensifikojë bashkëpunimin edhe në lëmin e bujqësisë”.

“Vlerësimi ynë është pozitiv, ngase tashmë Kosova ka arritur të konsolidojë dhe institucionet e saj demokratike; me sukses funksionon si shtet i pavarur dhe njëherësh ka dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon - gjë që ishte dhe qëllimi kryesor edhe i Kosovës, po edhe i partnerëve të saj ndërkombëtarë”,
deklaroi Ademi.

Ndërkohë, Vllado Buçkovski, ish-kryeministër i Maqedonisë, theksoi se ndërtimi i raporteve të mira me Kosovën është me një rëndësi të veçantë në korrelacion me marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Buçkoski nënvizoi se në momente të caktuara kritike mes të raporteve ndëretnike, deklaratat e përmbajtura të Prishtinës zyrtare kanë dhënë kontribut të veçantë për kapërcimin e situatave të tensionuara dhe kjo është për t`u respektuar.

“Mendoj se gjatë tre vjetëve të fundit në nivel të pamjaftueshëm kemi përcjellë sinjale miqësore ndaj Kosovës, si vend fqinj dhe shtet më i ri në Ballkan, aq më shumë kur kemi parasysh se sa të rëndësishme janë këto raporte që drejtpërdrejt reflektohen në marrëdhëniet ndëretnike”, tha Buçkoski.

Nga ana tjetër, lideri partisë shqiptare në opozitë, Imer Selmani, pasi uroi autoritetet kosovare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për trevjetorin e pavarësisë së shtetit, çmoi lart angazhimin e zyrtarëve kosovarë për instalimin e institucioneve që angazhohen për promovimin e vlerave evropiane.

Selmani, megjithatë, shprehu keqardhje për nivelin e ulët të bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.

“E gjithë kjo nuk ka mundësuar që të kemi shkëmbim të nevojshëm të investimeve, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se pavarësia e Kosovës dhe periudha pas pavarësisë u pasua me një hov të theksuar të tregtisë mes Maqedonisë dhe Kosovës”.


“Eksporti i Maqedonisë pëson një rënie. Në këtë drejtim, mendimi im është se mungon interesi thelbësor dhe i sinqertë nga ana e politikës së Maqedonisë për të pasur një bashkëpunim të mirëfilltë me Kosovën dhe e gjithë kjo për faj të institucioneve të Maqedonisë”, u shpreh Selmani.

Ndryshe, Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, për herë të tretë mbrëmë organizoi akademinë solemne “Dita e Plisit” me rastin e 3-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në praninë e rreth 500 mysafirëve.

“Nisma jonë që dita e pavarësisë së Kosovës të njihet si Dita e Plisit, është frymëzuar nga fotografia e Adem Jasharit me plis në kokë dhe parullën ‘Bac u kry’ - që në fakt u bë imazhi i pavarësisë së Kosovës. Qëllimi ynë është që njëlloj, sikur dita e pavarësisë së Shqipërisë, që njihet si Dita e Flamurit, le të njihet edhe Dita e Pavarësisë së Kosovës si Dita e Plisit”.

“Në këtë mënyrë promovojmë edhe një element dhe kod unifikues shqiptar, pas gjuhës, flamurit, tash edhe plisit, që është e përbashkët për të gjithë shqiptarët
”, theksoi kryetari i Lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi.
XS
SM
MD
LG