Ndërlidhjet

Tiranë: Skepticizëm për opozitën


Përkrahësit e opozitës (Fotografi nga arkivi)
Përkrahësit e opozitës (Fotografi nga arkivi)
Afrimi i datës së zgjedhjeve lokale, ka rritur ndjeshëm skepticizmin mbi pjesëmarrjen ose jo të opozitës në proces.

Përfaqësuesit e saj vazhdojnë të këmbëngulin në opsionin për zgjedhje të parakohshme si shans i vetëm, sipas tyre, për të dalë nga kriza politike, duke mos mohuar njëkohësisht dhe pjesëmarrjen në zgjedhje lokale.

Këto qëndrime për analistin Frrok Çupi s’bëjnë gjë tjetër, veçse krijojnë amulli në prag të përballjes elektorale.

“Problemi është ky, se kërkojnë edhe zgjedhje të reja dhe, ndërkohë, nuk thuhet se nuk do të shkojmë në zgjedhjet e 8 majit. Shtabi i Partisë Socialiste është krejtësisht i paqartë, është krejtësisht në amulli, në të cilën nuk mund të kuptosh asgjë"
, thotë analisti Çupi.

Analistja Briseida Mema thotë se mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 8 majit, do të penalizonte vetë Partinë Socialiste.

Unë nuk parashikoj një mospjesëmarrje të kësaj force politike në këtë proces dhe mendoj që një mospjesëmarrje në këto zgjedhje, do të ishte një vetëvrasje politike për opozitën shqiptare. Parlamenti Evropian u shpreh qartë se, në fund të fundit, respektimi i institucioneve demokratike siç është edhe institucioni i zgjedhjeve vendore më 8 maj, përbën edhe një domosdoshmëri për respektimin e atyre kritereve të vëna Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, vlerëson Mema.

Në këtë pikë ku ka mbërritur debati politik, sipas analistëve, duket të jetë konsumuar dhe roli i ndërkombëtarëve.

“Deri tani gjërat janë thënë qartë, janë thënë shumë prerë. Problemi është se sa pala shqiptare i dëgjon këto thirrje të komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu, nuk duhet harruar se është hera e parë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po flasin me të njëjtën gjuhë”
, thekson Mema.

Ndërkaq, analisti Çupi vlerëson:

“Mendoj se Perëndimi ka bërë maksimumin. Nuk jetojmë në periudhën e komunizmit kur Kremlini urdhëronte satelitët. Në demokraci nuk ka satelitë. E vërteta është se këtu kemi një kthim pas, një tentativë për t’u kthyer pas”.


Por, a do të shkohet në 8 maj pa një marrëveshje politike? Zoti Çupi thotë se shanset janë të pakta.

“Në të gjitha rrethanat ulja në tavolinë është e domosdoshme dhe e mundshme, por praktikisht në këto kushte nuk mund të ketë dialog, nuk mund të ketë ulje në tavolinë. Në kohën që përgatitet për të shkuar në tryezë, Partia Socialiste, ose kryetari i Partisë Socialiste kërkon zgjedhje të parakohshme. Në kohën që shkohet në tryezë për Kodin zgjedhor të 8 majit, ai kërkon të mos ketë zgjedhje fare. Kam përshtypjen se do të shkohet në zgjedhje pa një tryezë”
, shprehet Çupi.

Ndërsa, zonja Mema thotë se ka ende dritë në fund të tunelit, duke shpresuar në një angazhim ndoshta të fundit ndërkombëtar për këtë qëllim.

“Kush duhet ta bëjë i pari hapin? Keni parasysh se bëhet fjalë për një politikë, në fund të fundit, ballkanike, rëndësi ka që presioni është duke u rritur dhe besoj se para zgjedhjeve lokale do të arrihet që palët të gjejnë një marrëveshje”,
thotë Mema.
XS
SM
MD
LG