Ndërlidhjet

Duke u thirrur në kompetencat e tij kushtetuese, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nominoi Hashim Thaçin mandatar për formimin e qeverisë. Ndërkohë, PDK-ja dhe AKR-ja po vazhdojnë negociatat për qeverinë e re dhe sipas zyrtarëve nga të dyja subjektet, shumë shpejt pritet të arrihet edhe marrëveshja e koalicionit.


Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, nominoi Hashim Thaçin mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Këtë vendim, Krasniqi e mbështeti në Kushtetutën e Kosovës.

Krasniqi kërkoi nga Thaçi që në afatin më të shkurtër kohor, të arrijë marrëveshjen e nevojshme me partitë politike për të formuar koalicionin për Qeverinë e re dhe të dalë me propozim para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Kosovë të Re po vazhdojnë negociatat për qeverinë e re.

Pas marrëveshjes fillestare që PDK-ja të mbajë postin e kryeministrit, kurse AKR-ja atë të presidentit, negociatat tani thuhet se janë në fazën finale për ndarjen përfundimtare të ministrive.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, tha se pret që marrëveshja të finalizohet së shpejti.
Shumë shpejt pritet të arrihet marrëveshja e koalicionit PDK - AKR për qeverinë e re.

“Mendojmë që shumë shpejt do të nënshkruhet marrëveshja, pasi të definohen edhe çështjet e fundit për sa i takon ndarjes së ministrive”,
theksoi Stavileci.

Bisedimet janë duke vazhduar, tha edhe nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, por pa shpalosur detaje në lidhje me kërkesat e kësaj partie në raport me ndarjen e ministrive.

Gashi u shpreh se pret që marrëveshja të jetë gati gjatë kësaj fundjave në mënyrë që presidenti dhe qeveria e re të votohen menjëherë pas seancës konstituive të Kuvendit.

“Intencat janë që para se të mbahet seanca konstituive e Parlamentit të kemi marrëveshjen për koalicion dhe pastaj legjislatura e re menjëherë të thërrasë seancën e radhës, do të thotë në afatin sa më të shkurtër që lejon rregullorja e punës dhe ta bëjë zgjedhjen edhe të presidentit dhe Qeverisë. Besoj që jemi në rrugë të mirë që gjatë javës së ardhshme ta kemi të kompletuar krejt skenën institucionale të Kosovës”
, tha Gashi.

Selia e Partisë Demokratike të Kosovës

Në anën tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës ende nuk ka një pozicionim të qartë nëse të hënën, pas konstituimit të Kuvendit dhe organeve të reja të legjislativit, do të pasojë seanca e parë, në të cilën do të zgjidheshin Qeveria dhe presidenti i ri i Kosovës.

“Do ta shohim, varësisht se si do të sillen rrethanat edhe çështjen e votimit të Qeverisë dhe presidentit. Ashtu siç parashihet me rregulloren e punës së Kuvendit, një gjë e tillë mund të ndodhë edhe pesë ditë pas kësaj seance. Kështu që presim që java e ardhshme t’i definojë këto çështje dhe t’i kemi institucionet e reja”
, shpjegoi Stavileci.

Koalicioni i PDK-së me AKR-në dhe pakicat, sipas pritjeve të zyrtarëve të PDK-së, do të ketë rreth 65 vota në Kuvend.

Sipas procedurave, votimi për presidentin e Kosovës është i mbyllur. Në dy rrathët e parë kërkohen dy të tretat apo 80 vota të deputetëve, përderisa në rrethin e tretë të votimit mjaftojnë 61 vota, apo shumica e deputetëve të Kuvendit që të zgjidhet presidenti i ri.

Kurse, për zgjedhjen e Qeverisë mjaftojnë 61 vota të deputetëve.

Sidoqoftë, mbështetja me më shumë se 61 vota në Kuvend shihet si e domosdoshme për një qeveri, në mënyrë që ajo të garantojë stabilitet dhe funksionalitet gjatë mandatit të ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG