Ndërlidhjet

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova që të bëjë më shumë punë në fushën e përafrimit të ligjeve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve kanë deklaruar se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve për integrim dhe për liberalizimin e vizave me BE-në.


Përfaqësues të Komisionit Evropian për Zgjerim kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës se nëse dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet që sa më parë të përfshihen agjendën e reformave evropiane.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të KE-së për Zgjerim, Stefano Sannino, ka thënë se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar të ndihmojë procesin e përkrahjes së Kosovës përmes asistencës substanciale financiare, si dhe përmes dhënies së ekspertizës në dispozicion për të ndihmuar qeverinë e ardhshme në këtë proces.

"Ne mirëpresim punën me Qeverinë e Kosovës në realizimin e ambicieve evropiane të Kosovës. Agjenda e BE-së është një agjendë e reformave të thukëta. Sipas përvojës sonë, edhe pse këto reforma janë të vështira, ato sjellin stabilitet dhe prosperitet”,
ka thënë Sannino.

Sannino gjithashtu ka rikujtuar se prioritetet kyçe të ciklit të vazhdueshëm të takimeve të dialogut të Procesit të Stablizim-Asociimit, duhet të jenë përpjekjet e qeverisë në reforma.

Monumenti i Shengenit


“Siç e dini, Komisioni në tetor ka publikuar Raportin e Progresit që paraqet dokumentin kryesor të raporteve mes KE-së dhe Kosovës, ku kemi përcaktuar disa prioritete. Pas tij, kishim zgjedhjet, kështu që menduam se ky është momenti i duhur që të ridefinojmë me autoritetet programet dhe aktivitetet që duam t’i zhvillojmë së bashku”.

“Rezultatet e diskutimeve dhe zhvillimeve të politikave do të reflektohen në Raportin e Progresit 2011 të Komisionit. Në fakt, mbeten vetëm 6 muaj kohë për të treguar rezultate”,
ka deklaruar Sannino në një konference për media me rastin e përfundimit të vizitës në Kosovë.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje të Kosovës, kanë deklaruar se Kosova është në rrugë të drejtë sa i takon përmbushjes së obligimeve që kërkohen nga Komisioni Evropian për integrim në BE dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Frymëzim Isufaj, këshilltar i lartë në Ministrinë e Integrimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri dhe institucionet e tjera kanë bërë progres të mjaftueshëm sa i takon përafrimit të legjislacionit kosovar me atë të Bashkimit Evropian.

“Sa i takon përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian është bërë një punë e madhe dhe janë realizuar një numër i madh i reformave. Ndërsa, sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, ne kemi plotësuar të gjitha kriteret, të cilat janë kërkuar nga ana e Komisionit Evropian”
, ka theksuar Isufaj.

Ndryshe, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të KE-së për Zgjerim, Sannino, gjatë vizitës në Kosovë ka pasur takime edhe me përfaqësues të Qeverisë, liderë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe me përfaqësues ndërkombëtarë.

Në këto takime diskutimet kanë qenë të përqendruara në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

Kurse, gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e BE-së në Mitrovicë, Sannino ka thënë se përkushtimi i Komisionit Evropian do të jetë zhvillimin socio-ekonomik i Kosovës, përfshirë këtu edhe pjesën veriore të vendit.

Po ashtu, Sannino ka theksuar se Bashkimi Evropian pret angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ardhshëm në mënyrë pragmatike dhe në frymë bashkëpunuese.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG