Ndërlidhjet

logo-print

Ymeri: Koalicioni PDK-AKR, në dëm të Kosovës


Visar Ymeri

Visar Ymeri

Lëvizja Vetëvendosje është kundër koalicionit PDK-AKR, për shkak të programit që ata paraqesin, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri, marrëveshja PDK-AKR për koalicionin e ardhshëm qeverisës pritet të finalizohet së shpejti. A do ta votojë vetëvendosja miratimin e kësaj qeverie në Kuvend?

VISAR YMERI

Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë disa herë deri më tash se ne i vendosim parimet tona programore dhe konceptin tonë politik përpara njerëzve dhe përpara çdo gjëje tjetër. Rrjedhimisht, ne jemi kundër këtij koalicioni për shkak të programit që ata paraqesin dhe për shkak të asaj që ata thonë se do ta bëjnë.

Konsiderojmë që ky koalicion do të jetë koalicion i fillimit të vazhdimit të negociatave të reja me Serbinë, të cilat ne i konsiderojmë se përveç që janë të padrejta dhe asimetrike, janë shumë të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën. Rrjedhimisht, jemi kundër këtyre negociatave. Pra, meqenëse jemi kundër këtyre negociatave, jemi edhe kundër koalicionit që po përgatitet për to.

Dhe, në anën tjetër, po ashtu, konsiderojmë se ky koalicion do të jetë koalicion i vazhdimit të procesit të privatizimit të çdo gjëje publike në Kosovë, madje edhe këtyre pak ndërmarrjeve publike që kanë mbetur. Këtë privatizim ne e kundërshtojmë pikërisht për shkak se konsiderojmë se është një prej proceseve më të dëmshme politike dhe ekonomike që i kanë ndodhur Kosovës gjatë viteve të fundit dhe që synon shpronësimin total të popullit të Kosovës nga pronësia e tij.

Prandaj, edhe në këtë drejtim, ne do të jemi kundër këtij koalicioni, për shkak të asaj se çfarë do të bëjnë këta me Kosovën në rrafshin institucional, të integritetit territorial dhe në rrafshin ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se ky koalicion është koalicion për vazhdimin e negociatave. Mendoni se po të vinin partitë e tjera në pushtet nuk do të vazhdonin negociatat, marrë parasysh se negociatat, në njëfarë forme, u imponuan nga jashtë dhe nuk është se partitë politike shqiptare i deshën këto?

VISAR YMERI
Sa po shohim ne, shumica prej partive politike, të mos them të gjitha, por shumica prej subjekteve politike që janë në Kosovë, veçanërisht këto që janë të pranishme tash në Kuvendin e Kosovës, janë parti të cilat do t’i pranonin negociatat me Serbinë. Pra, nuk po them se vetëm ky koalicion do t’i pranonte, këtë do ta bënin edhe të tjerat parti.

Mirëpo, ne konsiderojmë se këto negociata nuk duhet pranuar për shkak se Kosova ka shumë punë për të bërë në kuptimin e forcimit të sovranitetit përbrenda dhe nuk duhet Kosova ta negociojë të ardhmen e vet, e as rregullimin territorial institucional të vetin me Serbinë, duke pasur parasysh historikun, por edhe aktualitetin kriminal të Serbisë në Kosovë.

Prandaj, konsiderojmë se negociatat që po përgatiten tash, janë negociata që përfundimisht do ta përfundojnë projektin e bosnjëzimit të Kosovës, pra ndarjes së brendshme të Kosovës - edhe territoriale edhe institucionale, projekt ky i cili, natyrisht, filloi me planin e Ahtisarit që ne e patëm kundërshtuar edhe atëherë. Po them që partitë politike do t’i pranonin negociatat, për shkak se ato edhe deklarohen se do t’i pranonin, por Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i pranojë kurrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni pjesë e Kuvendit të Kosovës... Si do të reagoni përballë këtij procesi të negociatave?

VISAR YMERI
Lëvizja Vetëvendosja e ka thënë edhe më herët, edhe kur e kemi marrë vendimin për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, ne e kemi konsideruar këtë që do të jetë një shtim i mjeteve, të cilat i kemi përdorur deri tash. Pra, shtim i mënyrave të rezistencës dhe kundërshtimit dhe assesi ndryshim i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ne do të mbesim, përveç subjektit të pranishëm në Kuvendin e Kosovës në këtë rast, do të mbesim edhe lëvizje politike, e cila e vazhdon rrugëtimin e vet jashtë-institucional, pra përmes demonstratave, protestave dhe aksioneve simbolike.

Konsiderojmë se kjo është mënyra e vetme për ta ndryshuar rrënjësisht politikën e Kosovës dhe për ta etabluar një kulturë të re politike, e që demokracisë përfaqësuese t’ia shtojmë edhe demokracinë direkte, demonstratat protestat, por edhe demokracinë pjesëmarrëse.

Me këtë nënkuptojmë referendumet, në mënyrë që populli ta ketë mundësinë të thotë fjalën e vet për ato projekte që kanë rëndësi madhore për Kosovën, rëndësi madhore për kombin shqiptar, por edhe që kanë pasoja afatgjata. Këtu përmendim negociatat, privatizimin - procese këto, të cilat jo vetëm që po e rrezikojnë të tashmen e Kosovës, por, dorën në zemër, e vështirësojnë shumë punën dhe e rrezikojnë edhe të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në Kuvend, ndërsa është ngritur dilema ditëve të fundit lidhur me betimin se si do ta japë betimin Vetëvendosja apo edhe nëse do ta bëjë atë?

VISAR YMERI
Ne kemi thënë që vetë pjesëmarrjen në institucione e konsiderojmë si një mjet dhe jo si një qëllim për vete. Pra, edhe këtu jemi të ndryshëm prej, të mos them të gjithëve, por shumicës së subjekteve politike që i kemi parë deri tash, të cilat i kanë parë institucionet e Kosovës si një shtëpi ku ata do të mund ta organizojnë jetën më mirë, gjë që edhe e kanë bërë përmes pasurimit të tyre shpeshherë të paligjshëm dhe absolutisht të pamoralshëm.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje i konsideron institucionet e Kosovës si një mjet për t’i përdorur në mënyrë që ta ndryshojë realitetin politik dhe ekonomik në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Sa i përket çështjes së betimit, ne e konsiderojmë atë si një procedurë teknike, të cilën do ta bëjmë siç e kemi bërë certifikimin si subjekt pjesëmarrës në zgjedhje. Mirëpo, jemi po ashtu të interesuar që politika në Kosovë të mos mbetet e mbyllur në këtë lloj spektakulariteti, të cilin e kanë bërë këto parti politike, pra që të zhvendosemi nga spektakulariteti dhe ta sjellim përbrenda politikës, brenda diskursit politik, por edhe ngjarjeve politike çështjen e koncepteve politike, moralit në politikë dhe drejtësisë në politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ato pikat kyçe që Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse tashmë jeni deklaruar se do të jeni në opozitë, do të sjellë në Kuvendin e ri?

VISAR YMERI

Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë sipas parimeve programore dhe sipas parimeve konceptuale politike që i ka. Këto nuk janë të reja për qytetarët e Kosovës. Ato i kanë parë ata teksa i kemi shpalosur në mënyra të ndryshme prejse ekzistojmë. Tash po mbushim gati 6 vjet ekzistimi dhe prej se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar që ta bëjë publik dhe ta pasurojë konceptin politik.

Po gjërat më të rëndësishme që i synon Vetëvendosja, në aspektin konceptual janë që t’ia kthejmë moralin politikës, t’ia kthejmë ekonomisë politikën, pra në vend të ekonomisë pa ndërhyrje dhe pa praninë e shtetit, t’ia kthejmë një pranie të institucioneve shtetërore në ekonomi për hir të zhvillimit ekonomik, e jo këso pranie që e kemi pasur deri tash – domethënë për hir të shkatërrimit të ekonomisë.

Si dhe një gjë që është e rëndësishme, mbase më e rëndësishmja - t’ia kthejmë drejtësinë politikës. Pra, ta bëjmë një sistem politik në Kosovë, i cili bazohet në parimet universale të drejtësisë, e jo si deri tash që ka qenë subjekt i një kompromisi të vazhdueshëm të politikanëve tanë, të cilët e kanë bërë qoftë me Serbinë, qoftë me bashkësinë ndërkombëtare e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Folëm në fillim për votimin ose jo të Qeverisë së re, por jo edhe për presidentin që do t’i takojë AKR-së, ndërkaq që kandidat për të është zoti Behxhet Pacolli. Çfarë qëndrimi ka Lëvizja Vetëvendosje - do të votojë apo ka ndonjë kundërkandidat?

VISAR YMERI
Edhe ajo për çka kemi dëgjuar dhe kemi parë ne se për çka angazhohet Behxhet Pacolli është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë se për çka angazhohet Lëvizja Vetëvendosje. Rrjedhimisht, ai, edhe si person, edhe si kandidat për president është i papranueshëm për ne, për shkak të bindjeve të tij politike, të cilat i ka bërë publike në raste të ndryshme dhe në hapësira të ndryshme kohore. Kur themi është i papranueshëm, atëherë edhe s’e votojmë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG