Ndërlidhjet

Kosova me imazh të keq


Fotografi ilustruese (Nga festimi i 3-vjetorit të pavarësisë)
Fotografi ilustruese (Nga festimi i 3-vjetorit të pavarësisë)
Tre vjet pas pavarësisë, analistët vlerësojnë se Kosova nuk mund të mburret me imazhin e saj. Ata thotë se ky imazh u godit rëndë nga raporti i Dik Martit, por edhe nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat u përcollën me manipulime dhe parregullsi.


Me gjithë fushatën disa milionëshe për përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe reklamat që u dhanë në televizionet me renome ndërkombëtare, Kosova, vlerësojnë analistët, sot nuk mund të mburret me reputacionin e saj.

Imazhi ndërkombëtar i Kosovës, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është dëmtuar mjaft kohëve të fundit dhe kontribut për këtë kanë dhënë manipulimi me zgjedhjet e fundit parlamentare dhe raporti i Dik Martit.

Që këto dy ngjarje, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit KIPRED, Krenar Gashi, kanë goditur rëndë imazhin e shtetit të ri.
Parregullsitë në zgjedhje e kanë dëmtuar edhe më shumë imazhin e Kosovës, sesa vetë raporti i Dik Martit.


“Parregullsitë në zgjedhje e kanë dëmtuar edhe më shumë imazhin e Kosovës, sesa vetë raporti i Dik Martit. Një gjë duhet të kihet parasysh, se mediat ndërkombëtare fokusin në Kosovë e kanë zakonisht në çështjet makro-politike, e jo në stabilitetin politik në vend, te misionet e shumta ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe të gjitha këto ndikojnë që nga Kosova të mos ketë lajme të tjera nga kultura, por vetëm lajme makro-politike, të cilat nuk janë të mira dhe nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës
”, thotë Gashi.

Edhe përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme pohojnë se reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar goditje të rëndë, sidomos pas raportit të Martit dhe zgjedhjeve të fundit.

Ardian Arifaj konsideron se për të ndërtuar një imazh të duhur, Kosovës do t’i nevojitet shumë kohë. E, fajtorët kryesorë, sipas Arifajt, janë përfaqësuesit e institucioneve.

“Përgjegjësia është e jona, këtu nënkuptohet më shumë lidershipi politik, i cili ka dështuar të distancohet prej rasteve, siç kanë qenë akuzat për korrupsion. Kemi një ministër edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë nën hetime për korrupsion dhe kemi dështuar të reagojmë ndaj një zhvillimi të tillë. Normalisht që këto kontribuojnë në njollosjen e imazhit të Kosovës”
, shprehet Arifaj.

Krenar Gashi nga instituti KIPRED thotë se Kosova, sa më parë që t’i ketë institucionet e reja dhe kredibile, aq më shpejt do të ketë mundësi që të ndikojë në ndryshimin e imazhit të vendit.

“Mënyra më e mirë për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare është që ta bëjmë Kosovën një shtet funksional. Dhe, vetëm funksionalizmi i shtetit mund ta përmirësojë këtë imazh të dëmtuar, sepse imazhi është dëmtuar në shtetësinë tonë. Asnjë kampanjë mediale nuk do të mund të ndikojë më mirë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, sesa një dokumentim se ne jemi një shtet që funksionon”
, vlerëson Gashi.

Por, Ardian Arifaj, nga KPJ-ja, thekson se me gjithë përmirësimet e vogla që mund t’i bëjë Kosova pas formimit të institucioneve, njollat do të mbesin.
...të ofrojmë edhe diçka pozitive, për të cilën do të kishin mundësi të raportonin mediat ndërkombëtare.


“Ajo që mundemi tash të bëjmë është që të bëjmë një balancim – pra, të ofrojmë edhe diçka pozitive, për të cilën do të kishin mundësi të raportonin mediat ndërkombëtare”.

“Kjo vjen me një qeverisje më të besuar me kompetentën, e cila shumë shpejt do ta zhvillojë Kosovën edhe nuk do ta lërë si një vend të izoluar që shpesh po quhet si vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor. Prapëseprapë është një përgjëgjësi e jona që së paku të japim një alternativë të asaj pamjeje të zezë e që japin mediat ndërkombëtare”,
thekson Arifaj.

Së fundi, edhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve të saj kanë deklaruar se Kosovës i është dëmtuar imazhi në arenën ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG