Ndërlidhjet

logo-print

Borxhlinjtë me më tepër se 1000 euro, shkyçen


Korporata Energjetike e Kosovës ka filluar shkyçjen nga rrjeti elektrik për të gjithë ata konsumatorë që kanë borxh mbi 1000 euro, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj kompanie. Sipas tyre, në tërë territorin e Kosovës, llogariten të jenë mbi 10 mijë konsumatorë të mëdhenj. Këtë aksion e përkrahin edhe njohës së fushës së energjetikës.


Korporata Energjetike e Kosovës ditëve të fundit ka intensifikuar aksionin për shkyçje nga rrjeti elektrik të konsumatorëve, që kanë borxh ndaj kësaj korporate.

Aksioni me moton “Kush s’ka borxh, do të ketë energji elektrike - ndërsa kush nuk paguan faturat, do të shkyçet”, është duke u zhvilluar në tërë territorin e Kosovës, bën të ditur Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë.

Fokusi kryesor i këtij aksioni, është te borxhlinjtë e mëdhenj, thotë Buzhala, duke shtuar se energjia u është ndërprerë dhe do t’u ndërprehet atyre personave që kanë borxh ndaj KEK-ut mbi 1000 euro.

Ndërkaq, Buzhala tregon si një shembull rastin e një konsumatori në Prishtinë, i cili tashmë ka mbetur pa energji elektrike, që ka pasur borxh mbi 14 mijë euro.

Borxhi total i konsumatorëve ndaj KEK-ut, është mbi 350 milionë euro, ndërsa humbjet komerciale apo shfrytëzimi i energjisë elektrike në mënyrë joligjore arrin në 21 për qind, njofton Buzhala.
Njehsor i shpenzimit të energjisë elektrike...

“Arsyeja e këtij aksioni, paraqet vendosmërinë e KEK-ut për stabilizim përfundimtar dhe ruajtjen e vazhdimësisë së energjisë elektrike. Shkyçja individuale është treguar më e suksesshmja. KEK-u do të vazhdojë t’i shkyçë borxhlinjtë. Shpresoi se do të kemi sa më pak borxhlinj në mënyrë që të ketë sa më pak shkyçje”
, thotë Buzhala.

Edhe ekspertë të fushës së energjetikës e përkrahin aksionin e KEK-ut. Profesori Naim Hoxha, thotë se KEK-u duhet të jetë i pamëshirshëm ndaj konsumatorëve të papërgjegjshëm. Madje, sipas tij, aksioni i tashëm i KEK-ut është shumë më i drejtë sesa shkyçjet kolektive, që deri më tani ka aplikuar kjo kompani.

“Në këto kushte të demokracisë, nuk mund të dënohen njerëzit në mënyrë kolektive. Prandaj, kjo shkyçje e borxhlinjve të vërtetë është pikërisht ajo që duhet të bëjë KEK-u. Por, a duhet bërë me konsistencë dhe pa zgjedhje, sepse kam frikë se aty ka njerëz, të cilët kanë lidhje dhe gjejnë lidhje”
, konsideron Hoxha.

Buzhala tregon se në tërë territorin e Kosovës llogariten mbi 10 mijë konsumatorë me borxhe të mëdha, të cilët do të shkyçen nga rrjeti shpërndarës elektrik, ndërsa vetëm në Prishtinë, sipas tij, janë mbi 2000 konsumatorë.

Për këtë, thotë ai, KEK-u apelon te të gjithë konsumatorët t’u përgjigjen obligimeve ndaj korporatës në mënyrë që të ketë furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike.

“KEK-u po ecën fuqishëm drejt stabilizimit financiar. Sot KEK-u nuk është kompani në humbje, mirëpo për ta ruajtur këtë vazhdimësi, ne jemi të detyruar që të tregojmë vendosmërinë tonë, se ata që nuk kanë borxhe, do të kenë energji elektrike, ndërsa ata që nuk i paguajnë faturat e tyre, do të shkyçen”,
deklaron Buzhala.

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës, viteve të fundit ka zbatuar planin ABC, sipas të cilit plan kategoria A, që llogaritet se janë konsumatorët e rregullt të pagesës së faturave të energjisë së shpenzuar, energji kanë 24 orë pa ndërprerë, ndërsa kategoria B dhe C kanë energji, varësisht nga pagesa që bëjnë këta konsumatorë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG