Ndërlidhjet

Nuk u mbajtën protestat e paralajmëruara


Pamje nga protesta e 13 shkurtit 2011, në Kalanë e Shkupit, e cila eskaloi në dhunë.

Pamje nga protesta e 13 shkurtit 2011, në Kalanë e Shkupit, e cila eskaloi në dhunë.

Me gjithë paralajmërimet e shumta nga grupet e ndryshme maqedonase përmes rrjeteve sociale për të protestuar kundër ndërprerjes së punimeve për ndërtimin e kishës-muze, protestat nuk u mbajtën.

Protestat u anuluan si duket për shkak të paralajmërimeve të njëpasnjëshme të krerëve politikë dhe ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, se dikasteri i Policisë do të reagojë ashpër në të gjitha tentativat për shkelje të rendit publik, paqes, si dhe rrezikimin e sigurisë së qytetarëve të Maqedonisë.

Ndryshe, forca të shtuara të policisë janë stacionuar në të gjitha pjesët e qytetit të Shkupit dhe objektet fetare ku jeton popullatë e përzier shqiptare dhe maqedonase, si rrjedhojë e thirrjeve të të rinjve maqedonas për tubime dhe protesta të reja në Kala, në shenjë hakmarrjeje pas incidentit që kaloi në dhunë javën e kaluar.

Analisti politik Alajdin Demiri duke komentuar situatën e vënë nën kontroll nga ana e policisë, vlerëson:

“Po në këtë fazë policia e luan rolin e të qenët një polici efikase, sepse në këtë moment nuk ka nevojë për një konflikt apo një përleshje të re ndëretnike, ngase çfarëdo pësimi do të ishte dështim i policisë, për arsyen se këta të rinj që mblidhen, janë të rinj të manipuluar, të cilët shprehin frustrimet e tyre etnike”.

Ai shton se dëshpërues është fakti që në incidentet e fundit ndëretnike në vend, gjithnjë e më shumë përfshihen të miturit, që bëhen pre e manipulimeve nga ana e politikë-bërësve, për të kamufluar dështimin e tyre në zgjidhjen e problemeve reale, me të cilat përballet vendi, si në integrimin e vendit, ashtu dhe në gjendjen e rëndë ekonomike.

“E gjithë kjo bëhet nga ana e krerëve shtetërorë, konkretisht nga ana e kryeministrit Gruevski për të thyer rejtingun e humbur të tyre, ngase pritet të hyjnë në zgjedhje të parakohshme dhe me këtë tentojnë të zhvendosin vëmendjen nga problemi i rëndë që kjo përbërje qeveritare nuk ka kapacitet ta zgjidhë, siç është çështja e emrit”,
thekson Demiri.

Ndryshe, Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, që organizoi protestat një javë më parë, kundër ndërtimit të kishës-muze, me të cilën siç u tha i humbet karakteri multi-etnik kryeqendrës, të shtunën ka paralajmëruar se do të ngre iniciativë në Gjykatën Kushtetuese që të vlerësohet kushtetutshmëria për ndërtimin e këtij objekti fetar në Kala.

“Ne tashmë kemi nisur konsultime me ish-gjykatës të Gjykatës Kushtetuese duke u bazuar në faktin se rregullimi shtetëror i Maqedonisë thotë se shteti është laik dhe nuk ka të drejtë të ndërtojë objekte fetare me mjete nga buxheti i shtetit. Njëkohësisht, me këtë vendim për ndërtimin e kishës-muze, qeveria shkakton pabarazi duke favorizuar njërin komunitet, e kjo nuk guxon të ndodhë në një shtet multi-etnik”
, thotë nënkryetarja e Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, Teuta Zllatku.

Ndryshe, edhe Komiteti i Helsinkit në Shkup nga organet kompetente ka kërkuar që urgjentisht ta zgjidhë rastin e incidentit në Kala.

“Nga institucionet e sistemit kërkojmë që sa më shpejtë të zgjidhet rasti ‘Kalaja’, si dhe të fillojë hetimi i organizatorëve dhe pjesëmarrësve në këtë ngjarje, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe religjioze, ose personave aktualisht të angazhuar në politikë, siç ishte zëvendësministri i Punëve të Brendshme, si dhe liderët e disa partive politike”
, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.
XS
SM
MD
LG