Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga analistët shihen si mundësi për dalje nga kriza politike dhe tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike. Zgjedhjet në vazhdimësi janë kërkuar nga opozita, ndërsa partitë në pushtet kanë përjashtuar një mundësi të tillë. Por, me hapat e ndërmarrë së fundmi për përmbushjen e kërkesave të opozitës, po dëshmohet se zgjedhjet parapëlqehen edhe nga partnerët qeveritarë.


Tensionet ndëretnike në Maqedoni, bojktoi i Kuvendit nga ana e opozitës, ndërhyrja e pushtetit në disa mediume private, për shkak të dyshimeve për afera korruptive, sipas qarqeve të ndryshme analitike, janë argumente të mjaftueshme se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, sa mund ta zhbllokojë situatën e krijuar mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme? Abdullah Azizi, profesor universitar, thotë se zgjedhjet parapëlqehen nga të dyja palët, si nga opozita, ashtu edhe nga pushteti.

Sipas tij, shkuarja në zgjedhje nuk nënkupton zgjidhjen e problemeve, pasi, bazuar në anketat e ndryshme, në pushtet do të mbeten partitë e koalicionit aktual qeverisës, i cili edhe siç duket është më tepër i interesuar për zgjedhje, sesa për zgjidhjen e problemeve.

“Qëllimi kryesor i politikës aktuale është ruajtja e rejtingut politik te qytetarët, pa marrë parasysh çmimin që do të paguajë në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare - e kam fjalën për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Pra, është e qartë se prioritet i partive është mbetja në pushtet, duke i sakrifikuar interesat kombëtare”, deklaron Azizi.

I të njëjtit mendim është edhe Lubomir Fërçkovski, ish-zyrtar i lartë i Lidhjes Social-Demokrate, tani profesor universitar.

Fërçkovski thotë se procesi i zgjedhjeve po përshpejtohet nga vetë partitë në pushtet, për shkak të fillimit të rënies së rejtingut.

“Pas realizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, diku nga fundi i pranverës, mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme për të dalë nga kjo agoni në të cilën ndodhemi”, thotë ai.

Fërçkovski shton se ky proces do të jetë i vështirë, për shkak të, siç shprehet, anketave joreale që janë realizuar nga pushteti, duke e nxjerrë atë si fitues, e që në realitet nuk është.

Zgjedhjet e parakohshme shihen si zgjidhje për të dalë nga situata edhe nga ish-diplomati Risto Nikovski.

“Përkeqësimi i situatës në vend dhe kriza e re parlamentare de fakto i bëjnë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mendoj se mbajtja e tyre do t'i hapte rrugën kapërcimit të problemeve kyçe, me të cilat përballet vendi”, thotë Nikovski.

Pavarësisht paralajmërimeve për zgjedhje të parakohshme, opozita fillimisht kërkon realizimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor, në pjesën që ka të bëjë me votimin e diasporës, për vendet e garantuara për pakicat dhe pastrimin e listës zgjedhore.

Partitë në pushtet fillimisht kanë përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve, duke mos u pajtuar me vlerësimet se vendi ndodhet në krizë politike. Por, me fillimin e përmbushjes së kërkesave të opozitës, edhe partitë në pushtet, siç duket, kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet. Jozyrtarisht, ato kanë pohuar se nuk do të jetë e largët dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) deklarohen të gatshëm për organizimin e një procesi të tillë zgjedhor.

Ne veçmë jemi duke u ekipuar në këtë drejtim. Domethënë, Komisioni Shtetëror Zgjedhor i plotëson kushtet për t’u ballafaquar me sfidat që neve na kërkohen, qofshin ato edhe zgjedhjet e parakohshme”, thekson Zubhi Jakupi, zëvendëskryetar i KSHZ-së.
XS
SM
MD
LG