Ndërlidhjet

HRW: 104 të vrarë në Libi


Organizata Human Rights Watch ka njoftuar se të paktën 104 persona kanë humbur jetën nga përleshjet në Libi.

Autoritetet spitalore kanë bërë të ditur se “dhjetëra” protestues janë vrarë të shtunën në Bengazi, kur forcat policore kanë hapur zjarr në një funeral për demonstruesit.

Sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg, ka dënuar përdorimin e armëve të rënda dhe të njësive snajper kundër protestuesve.

Përleshje janë raportuar edhe në qytetin Al Baida, përderisa kryeqyteti Tripoli vazhdon të mbetet relativisht i qetë.

Trazirat janë frymëzuar nga kryengritjet popullore në Egjipt dhe Tunizi, që çuan në përmbysjen e liderëve të tyre.

Qeveria libiane nuk ka lëshuar ndonjë shifër apo koment zyrtar për dhunën. E përditshmja britanike “The Independent” thotë se numri i të vrarëve në Bengazi mund të arrijë në 200.

Udhëheqësit myslimanë të Libisë u kanë bërë thirrje forcave të rendit të ndalojnë vrasjen e civilëve. Këta të fundit kërkojnë largimin e Muamer Gadafit, i cili sundon Libinë për katër dekada.
XS
SM
MD
LG