Ndërlidhjet

Kosovë: Filloi seanca konstituive e Kuvendit



Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, e filloi seancën konstituive.

Deputetja më e vjetër Flora Brovina, e hapi këtë seancë e ndihmuar nga deputetja më e re, Biserka Kostiq.

Fillimisht, deputetët e votuan njëzëri komisionin për verifikimin e mandatave.

Ndërkaq, me shumicë votash Kuvendi zgjodhi kryetar të Kuvendit deputetin nga radhët e PDK-së, Jakup Krasniqin.

Votimi u bë pasi që dhanë betimin deputetët e pranishëm në seancën konstituive.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje betimin e dhanë duke ekspozuar secili para vetes nga një flamur kombëtar shqiptar.

* * * *

Konstituimi i Kuvendit


Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit sot mban seancën konstituive.

Deri në zgjedhjen e organeve të reja, seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, i cili do të ndihmohet edhe nga deputeti më i ri. Sipas rendit të ditës, fillimisht pritet verifikimi i mandateve.

Më pas do të bëhet betimi i deputetëve. Kurse, në pjesën e parë të punës, Kuvendi pritet të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kryetari zgjidhet nga partia më e madhe në Kuvend.

Ndërkohë, mbetet te partitë që tashmë kanë lidhur koalicion qeverisës nëse do të inicojnë si pika shtesë edhe zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re.

I vetmi që deri më tani ka bërë publike kandidaturën për postin e presidentit të Kosovës është kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Kandidatura e tij është pjesë e marrëveshjes për qeverinë e re.

Votimi për presidentin është i fshehtë dhe mund të shkojë deri në tre rrathë. Në dy rrathët e parë kërkohen dy të tretat e votave të Kuvendit apo 80 vota plus, përderisa në rrethin e tretë presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicën apo 61 vota të deputetëve.

Pas zgjedhjes së presidentit pason edhe prezantimi i mandatarit dhe qeverisë së re.

Votimi për zgjedhjen e qeverisë kërkon 61 vota për. I vetmi koalicion që do të prezantohet për votim para Kuvendit është ai i PDK-së me AKR-në, pakicat dhe Listën Ibrahim Rugova. Mandatar për kryeministër është nominuar tashmë, Hashim Thaçi.

Partitë e koalicionit janë zotuar se kanë siguruar shumicën për zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë. Në të kundërtën, dështimi eventual i zgjedhjes së tyre mund të çojë vendin në krizë të re institucionale. (z.g.)
XS
SM
MD
LG