Ndërlidhjet

Dhunë në Tripoli, Gadafi kërcënohet


Protestat në Libi
Protestat në Libi
Trazirat antiqeveritare në Libi mbërritën gjatë natës në kryeqytetin Tripoli. Në një fjalim televiziv, djali i liderit libian, Muamer Gadafi paralajmëroi për luftë qytetare, e cila siç tha, do ta djegë pasurinë e naftës të vendit.

Sai al-Islam Gadafi, po ashtu, tha se armata do ta përforcojë me çdo çmim sigurinë në vend. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, dhuna tashmë ka marrë më shumë se 200 jetë.

Një qetësi e pazakonshme u kthye në rrugët e Tripolit pasi protestuesit antiqeveritarë demonstruan deri në agim, duke e sfiduar paralajmërimin se presidenti i Libisë, Moamer Gadafi, do ta luftojë revoltën deri “te njeriu i fundit”.

Trazirat u përhapën gjatë natës nga qyteti jugor Bengazi, djepi i revoltës kundër sundimit 42-vjeçar të Gadafit.

Të shtëna nga armë zjarri u dëgjuan kur protestuesit u përleshën me policinë dhe mbështetësit e Gadafit. Demonstruesit i shkatërruan zyrat e dy mediave shtetërore dhe u vunë zjarrin disa ndërtesave publike, përfshirë sallën ku mbahen mbledhjet e Parlamentit.

Në Bengazi, protestuesit duket se e kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit, pasi i detyruan trupat dhe policinë të tërhiqen në kazermë.

Sipas Human Rights Watch, të paktën 233 njerëz kanë vdekur që nga e enjtja kur shpërthyen protestat.

Djali i Gadafit u shfaq gjatë natës në televizionin kombëtar, në përpjekje për t’i qetësuar trazirat e frymëzuara nga kryengritjet popullore që përmbysën presidentët e Tunizisë dhe Egjiptit.

“Libia nuk është Egjipt. Ajo përbëhet nga fise dhe klane. Nuk është shoqëri me parti. Të gjithë i dinë detyrat e veta. Kjo mund të shkaktojë luftë qytetare dhe mund ta përsërisë luftën qytetare të vitit 1936. Libia nuk është Tunizi apo Egjipt. Libia ka naftë, e cila e ka bashkuar gjithë Libinë dhe kjo është arsyeja kryesore përse Libia qëndron e bashkuar”
, tha Saif al-Islam Gadafi.

Ai ofroi reforma politike dhe pranoi se policia dhe armata kanë bërë “gabime”.

Por, ai e hodhi poshtë vlerësimin e Human Rights Watch dhe i mohoi raportet se babai i tij kishte braktisur vendin, duke thënë se Gadafi po e “udhëheq betejën” në Tripoli.

Ai tha se i ati do ta luftojë revoltën “deri te burri i fundit, madje deri te gruaja e fundit”.

Duke drejtuar gishtin nga kamera, ai gjithashtu i akuzoi libiasit në mërgim për nxitje të protestave.

Akram Al-Warfalli, figurë e njohur në fisin Al Warfalla, i tha televizionit Al Jazeera se Gadafi “nuk është më vëlla” dhe i bëri thirrje të lëshojë Libinë.

Disa diplomatë libianë dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj dhunës kundër demonstruesve. Në mesin e tyre janë një diplomat në Kinë dhe ambasadori në Indi.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga përdorimi i forcës në Libi.(v.p.)
XS
SM
MD
LG