Ndërlidhjet

Kompanitë e huaja largohen nga Libia, dhuna vazhdon



I biri i udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, ka tërhequr vërejtjen se vendi përballet me luftë të përgjakshme civile nëse protestat vazhdojnë.

Saif al Islam Gadafi tha se kryengritja kundër regjimit të të atit ishte komplot nga jashtë.

Gjatë një fjalimi të gjatë në televizion ai premtoi për reforma të thella politike:

"Nesër ne mund ta kursejmë veten nga përgjakja dhe kjo do të jetë arritja më e madhe historike kur ne lëvizim nga regjimi i parë në të dytin. Harrojeni regjimin e parë dhe bashkë do të biem dakord rreth sistemit të ri. Nesër do të krijojmë një Libi të re, Libia e së nesërmes do të jetë ajo për të cilën ne do të biem dakord. Në të kundërt ju duhet të përgatiteni që ne si libianë do të hyjmë në një fazë konfrontimesh, do të luftojmë njëri-tjetrin dhe do të jemi të ndarë. Harrojeni naftën, harrojeni gazin. Do të shkojmë drejt rrëmujës dhe kaosit".

Human Rights Watch tha se së paku 233 njerëz janë vrarë gjatë ditëve të fundit.

Protestat anti-qeveritare janë përhapur sot edhe në Tripoli. Në qendër të Tripolit ka pasur përleshje mes mbështetësve të Gadafit dhe protestuesve.

Ministrat e jashtëm të BE-së takohen sot në Bruksel për të diskutuar gjendjen në Libi. Disa nga kompanitë perëndimore të naftës kanë njoftuar se po evakuojnë personelin nga Libia.
XS
SM
MD
LG