Ndërlidhjet

Përbërja e re e Kuvendit, që u konstituua të hënën, ngjall shpresë tek analistët se nuk do të jetë apatike dhe e pazëshme, sikur përbërja e kaluar, së cilës ata thonë se qeveria ia ka diktuar agjendën.

Subjekti i ri në Kuvend, Vetëvendosja, dhe LDK-ja e reformuar, sipas Ardian Arifajt, do të mund të sjellin frymë të re në Kuvend.

“Kemi një LDK që ka filluar një reformë brenda-partiake dhe vjen në Kuvend me fytyra të reja për dallim nga ato që i ka pasur përpara. Kemi një Kuvend ku për herë të parë është Vetëvendosja, që deri tash ka qenë kundërshtuesja më e madhe e institucioneve të Kosovës, ndërsa tash këtë kundërshtim e bën edhe brenda Kuvendit të Kosovës, pra e sjell një kualitet të ri në debatin e Kuvendit”.

“Por, kemi edhe anëtarë të rinj si përfaqësuesit e rinj të serbëve si Rada Trajkoviq, që do të sjellë edhe ajo një debat brenda vetë komunitetit serb në kuadër të Kuvendit të Kosovës”,
thotë Arifaj.

Partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja tashmë ka nënshkruar marrëveshje me Aleancën Kosova e Re, Listën Ibrahim Rugova dhe minoritetet për të formuar qeverinë e re, duke lënë në bllok opozitar LDK-në, Vetëvendosjen dhe AAK-në.

Halil Matoshi

Duke pasur parasysh opozitën që cilësohet të jetë e fortë, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se Kuvendit do t’i kthehet zëri dhe nuk do jetë më i dirigjuar nga ekzekutivi.

“Unë mendoj se Kuvendi i Kosovës përfundimisht ka ndërruar. Nuk do të jetë një Kuvend i dirigjuar nga qendrat e influencës, si ekzekutivi, i cili praktikisht Kuvendin në tre vjetët e kaluar e ka shfrytëzuar si departament për menaxhimin e popullit. Por, tash do të jetë një Kuvend, që megjithatë, do të ketë zë antiqeveritar”, vlerëson Matoshi.

Përbërja e re e Kuvendit doli nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat u përcollën me manipulime dhe parregullsi. Kanë qenë ato subjekte politike, që tash janë deklaruar se do të mbeten në opozitë, që më së shumti kanë ngritur zërin kundër manipulimeve, për shkak të të cilave, zgjedhjet u përsëritën në 6 komuna.

Edhe pse vazhdon të ketë zëra që kontestojnë legjitimitetin e të zgjedhurve, për shkak të këtyre parregullsive, analisti Ardian Arifaj thotë se këta të zgjedhur, më nuk guxojnë të anashkalohen.

Arifaj thekson se Kuvendi duhet të jetë tërësisht i përfshirë në proceset e rëndësishme si bisedimet me Serbinë, apo privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike.
Kuvendi i ri duhet të jetë kualitativ edhe në kompetencat e veta, duhet ta ngritë veten në një institucion të mirëfilltë, përtej të cilit nuk mund të shkohet.

“Kuvendi i ri duhet të jetë kualitativ edhe në kompetencat e veta, duhet ta ngritë veten në një institucion të mirëfilltë, përtej të cilit nuk mund të shkohet. Pra, të mos lejojë që qeveria, siç ka ndodhur në të kaluarën, ta anashkalojë, apo injorojë Kuvendin e Kosovës në vendimmarrjen e vet, por Kuvendi ta tregojë fuqinë e vet, ta imponojë veten si institucioni më i lartë në Kosovë”
, thekson Arifaj.

Halil Matoshi nuk shpreh dyshime se opozita do të luajë rol të rëndësishëm në proceset vitale që ka Kosova para vetes.

“Jam shumë i bindur, që në negociatat me Serbinë, Kuvendi i Kosovës do të ketë shumë influencë, sepse nuk është më Kuvendi i tre vjetëve të kaluara, por është një Kuvend me forca të ndryshme politike, dhe Kuvendi i Kosovës nuk do të heshtë. Prandaj, qeveria dhe negociatorët që do të diskutojnë me Serbinë, e kanë punën shumë ngushtë sepse nuk do të kalojë gjithçka në Kuvendin e Kosovës",
shprehet Matoshi.

Deputetët e rinj dhanë betimin për një mandat katërvjeçar, kohë kjo, që nga analistët vlerësohet si vendimtare për të definuar rrugën e Kosovës përpara.

Kosovës, sipas analistëve, i duhen institucione të forta, meqë ende nuk i ka kryer punët kryesore - nuk ka shtrirë sovranitetin në tërë vendin, nuk është njohur nga numër i mjaftueshëm shtetesh dhe vazhdon të mbikëqyret ndërkombëtarisht.
XS
SM
MD
LG