Ndërlidhjet

Rritet presioni ndaj regjimit të Gadafit



Regjimi 42 vjeçar i udhëheqësit libian, Muhamer Gadafi, është përballur me presione të shtuara gjatë ditës së sotme. Protestat anti-qeveritare janë përhapur edhe në kryeqytetin Tripoli.

I biri i Gadafit, Saef al Islam Gadafi duke folur në televizion tha se forcat e sigurisë do të luftonin deri në fishekun e fundit dhe tha se mund të ketë lumenjë gjaku dhe luftë civile.

Gjatë fjalimit ai premtoi reforma të thella politike:

"Nesër ne mund ta kursejmë veten nga përgjakja dhe kjo do të jetë arritja më e madhe historike kur ne lëvizim nga regjimi i parë në të dytin. Harrojeni regjimin e parë dhe bashkë do të biem dakord rreth sistemit të ri. Nesër do të krijojmë një Libi të re, Libia e së nesërmes do të jetë ajo për të cilën ne do të biem dakord.
Në të kundërt ju duhet të përgatiteni që ne si libianë do të hyjmë në një fazë konfrontimesh, do të luftojmë njëri-tjetrin dhe do të jemi të ndarë. Harrojeni naftën, harrojeni gazin. Do të shkojmë drejt rrëmujës dhe kaosit".

Në qytetin e Bengazit, i dyti për nga madhësia, protestuesit kanë marrë kontrollin e rrugëve pas përplasjeve të përgjakshme të së dielës.

Human Rights Watch tha se së paku 233 njerëz janë vrarë gjatë ditëve të fundit.

Nuk dihet vendqëndrimi i Gadafit, por ka informacione të pakonfirmuara se ai dhe familja e tij janë larguar nga vendi.

Disa nga kompanitë perëndimore të naftës kanë njoftuar se po evakuojnë personelin nga Libia.

Ministri i jashtëm britanik, Uilliam Hejg, me të mbërritur në Bruksel, në takimin e ministrave të jashtëm deklaroi:

"Mbretëria e Bashkuara është thellësisht e shqetësuar rreth situatës momentale në Libi. I kam telefonuar dje Saif al Islamit, të birit të Gadafit për t'i shprehur kundërshtimin e fortë lidhur me përdorimin e forcës kundër protestuesve", tha Hejg.
XS
SM
MD
LG