Ndërlidhjet

Shkup: Zgjedhjet e parakohshme - me kushte


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
LSDM-ja pranon ftesën e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por pasi të jenë pranuar katër kushtet e parashtruara nga kjo parti, ka thënë lideri i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Branko Cërvenkoski.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është mënyra e vetme për të dalë nga kjo krizë e thellë, në të cilën ndodhet shteti dhe ne e përshëndesim vendimin tuaj zoti Gruevski për t`u ballafaquar në zgjedhje të parakohshme”
, ka deklaruar Cërvenkoski.

Ai e ka përcaktuar qershorin si afat të pranueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme - nëse vendoset ndryshe, atëherë kjo parti do t’i bojkotojë të njëjtat.

LSDM-ja, si kusht për t`u kthyer në Parlament, ka vendosur zhbllokimin e llogarisë bankare të Televizionit A1 dhe gazetave Koha e Re, Shpic e Vreme, njëherësh dhe formimin e një komisioni, i cili do të kontrollojë regjistrin zgjedhor, si dhe miratimin e një rregullative ligjore që do të mundësojë shpërndarjen proporcionale në media të mjeteve buxhetore.

Nga ana tjetër, partia politike shqiptare pjesë e koalicionit qeveritar BDI, në mbledhjen e Kryesisë qendrore do të sjellë vendim lidhur me thirrjen e kryeministrit Gruevski për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, PDSH-ja është shprehur e gatshme për të hyrë në zgjedhje të parakohshme. Zëdhënësi i kësaj partie, Luan Tresi, ka thënë se PDSH-ja do të kthehet në Parlament pasi të jenë pranuar kërkesat që prekin interesin e votuesve shqiptarë.

“Sot e rikonfirmojmë edhe një herë se PDSH-ja është për zgjedhje të parakohshme, si mënyra e vetme për largimin e kësaj qeverie, Gruevski-Ahmeti, e cila është kthyer në makth për shqiptarët".

"PDSH-ja kërkon ndryshimin e Kodit zgjedhor me ridefinimin e kufijve të njësive zgjedhore pasi që njësia zgjedhore numër 6 i ka tejkaluar kufijtë e paraparë ligjor të numrit të votuesve; ndryshime në këshillat votuese dhe komisionet zgjedhore me shtim të numrit të përfaqësuesve partiakë; qasje dhe pjesëmarrje në pastrimin e listave të votuese nga votuesit fiktivë; si dhe monitorim të shtuar ndërkombëtar”
, është shprehur Tresi.

Ndryshe, Demokracia e Re, e cila gjithashtu është pozicionuar për zgjedhje të parakohshme, ka përsëritur kërkesën për shtyrjen e datës për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, të caktuar për në muajin prill.

Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme e kanë përshëndetur edhe partitë më të vogla maqedonase.

“Maqedonia nuk mundet pafundësisht të funksionojë në këtë krizë politike, andaj mendojmë se zgjedhjet mundësojnë zgjidhje për shumë çështje të bllokuara në Maqedoni”, ka theksuar Andrej Zhernovski nga Partia Liberale.

Mbrëmë kryeministri Nikola Gruevski njëherësh kryetar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, në një intervistë për mediat e vendit, publikisht e ftoi kryetarin e partisë më të madhe maqedonase në opozitë, atë të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, në zgjedhje të parakohshme.

"Në kushtet kur LSDM-ja i bën dëm shtetit, e ftoj Branko Cërvenkovskin që të vijë në Parlament, ta votojmë Ligjin për zgjedhje të parakohshme dhe të shpallen zgjedhjet"
, është shprehur Gruevski gjatë një interviste televizive, me ç`rast ka theksuar se partitë në pushtet kanë qenë kundër zgjedhjeve të parakohshme me qëllim që koha të shfrytëzohet për të mirën e shtetit, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë politik në favor të procesit integrues.

Gruevski ka deklaruar se ka ndryshuar mendjen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas braktisjes së punimeve të Parlamentit nga ana e opozitës.
XS
SM
MD
LG