Ndërlidhjet

Renovimi i sallave shtyn operacionet


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Qendrën Klinike Universitare ka disa muaj që ka filluar renovimi i sallave të operacionit në klinikat e Kirurgjisë. Pacientët ankohen se po u shtyhet afati për operim, i caktuar para se të fillojnë renovimet.

Flutura Kajtazi, paciente, vuan nga një sëmundje dhe i duhet të operohet, derisa thotë se sa herë që i caktohet data e operacionit, më pas i shtyhet.

”Mjekët në QKUK më kanë thënë para disa muajsh se duhet të operohem, por meqë janë duek u renovuar sallat, më duhet të pres. E kam përshtypjen se po më rrezikohet shëndeti, edhe pse mjekët më thonë se nuk ka rëndësi nëse operohem tash apo pas disa javësh. Por, unë jam duke pritur qe disa muaj”
, thotë pacientja Flutura Kajtazi.

Në anën tjetër, zyrtarë në QKUK thonë se i gjithë blloku i sallave kirurgjike është duke u renovuar. Shpend Fazliu, zëdhënës i këtij institucioni, thotë se disa salla janë në proces të renovimit të bllokut kirurgjik, derisa disa prej tyre tashmë kanë përfunduar dhe, sipas tij, kostoja e gjithë kësaj ka arritur shumën mbi një milion euro.

”Parashihet të ketë kushte moderne në këto salla që janë duke u rinovuar dhe do të lehtësohet puna në këto salla. Sallat operative tani të renovuara, si ajo e syve dhe ajo maksillofaksiale, ngjajnë në sallat evropiane dhe tashmë kanë filluar punën. Sa i përket rasteve emergjente, ato nuk pësojnë, sepse janë të hapura dy salla 24 orë, derisa për rastet joemergjente jemi munduar t’i adaptojmë sallat tjera me orar të kombinuar. Mund të ketë pasur ndonjë shtyrje aty-këtu”,
deklaron Fazliu.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se Qendra Klinike i ka më shumë se 30 salla operative dhe renovimi i disa prej tyre nuk ishte dashur të ndikojë në mënyrë të dukshme në performimin e përgjithshëm, sa i përket operacioneve.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në këtë ministri, thotë se mund të ndodhin shtyrjet e operacioneve për shkak të mosorganizimit adekuat të mjekëve, por jo edhe si mungesë e sallave.

Është e vërtetë që disa operacione shtyhen për shkak të mosorganizimit adekuat të mjekëve, e disa për shkak të mungesës së materialit të nevojshëm. Por, operacionet urgjente nuk janë duke pritur. Disa operacione të ftohta janë duke pritur, por ne nuk kemi mundësi t’i sigurojmë të gjitha materialet, sidomos ato të cilat janë shumë të shtrenjta”, thotë Tolaj.

Sipas Tolajt, tashmë institucioni që udhëheq, ka bërë një sërë marrëveshjesh ku njëra prej tyre është edhe me organizatën “Project Hope” dhe janë në procedurë të nënshkrimit të kontratave kornizë për të siguruar materialin shpenzues të nevojshëm për pacientë.

”Në dy javët e ardhshme shpresoj që do t’i finalizojmë ato (marrëveshje), por kjo nuk do të thotë që do të ketë performancë të shkëlqyeshme të këtyre sallave, kjo varet edhe nga organizimi i mjekëve dhe QKUK-së në përgjithësi”
, thekson Tolaj.

Sidoqoftë, pacientët janë ata që pësojnë qoftë si mungesë e materialit shpenzues, qoftë renovimit të sallave, apo edhe mosorganizimit të mirë të vetë stafit shëndetësor, duke iu rrezikuar shëndeti.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG