Ndërlidhjet

Gadafi: Nuk do të tërhiqem


Udhëheqësi libian, Muamer Gadafi, tha se do të mbetet në Libi si lider i revolucionit të saj dhe se nuk do të japë dorëheqje.

Ai tha se do të "vdiste si një dëshmor" dhe se do të luftonte "deri në pikën e fundit të gjakut". Gadafi u bëri thirrje mbështetësve të tij të vazhdojnë luftën kundër demonstruesve antiqeveritarë.

Deklaratat e tij në televizionin shtetëror vijnë pas thirrjes së Kombeve të Bashkuara për hetim ndërkombëtar të dhunës ndaj protetsuesve libianë.

Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Navi Pillai, ka paralajmëruar se “sulmet sistematike kundër popullatës civile mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”.

Qeveritë e vendeve të ndryshme të botës kanë nisur evakuimin e qytetarëve nga Libia.

Raportohet se forcat e afërta me Gadafin kanë vrarë qindra protestues në qytete të ndryshme, përfshirë Tripolin dhe Bengazin.

Organizata Human Rights Watch citon autoritetet spitalore të kenë thënë se të paktën 62 persona janë vrarë në kryeqytetin Tripoli që nga e diela.

Televizioni libian i ka hedhur poshtë raportet për masakra, duke i quajtur “gënjeshtra dhe tashetheme”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë bisedime urgjente për krizën në Libi, ndërkohë që Liga Arabe do të mbajë takime të ngjashme në Kajro.
XS
SM
MD
LG