Ndërlidhjet

Nisin me homazhe e zotime


Behxhet Pacolli në ditën e parë të punës si president i Republikës së Kosovës, vizitoi edhe familjen e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Behxhet Pacolli në ditën e parë të punës si president i Republikës së Kosovës, vizitoi edhe familjen e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Një ditë pas zgjedhjes së tyre në postet e reja, presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë filluar të martën agjendën e tyre zyrtare duke u zotuar se do të punojnë për forcimin e shtetit të Kosovës. Presidenti Behxhet Pacolli nisi detyrën me homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, përderisa kryeministri Hashim Thaçi mblodhi Qeverinë e re në takimin parë.


Me homazhet e bëra te varri i presidentit Ibrahim Rugova, pastaj te kompleksi memorial "Adem Jashari" në Prekaz, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan dhe homazhet te varri i Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti në Orllan, Behxhet Pacolli filloi edhe zyrtarisht punën dhe agjendën e tij në postin e presidentit të Kosovës.

I bindur se do të luajë rol unifikues, siç e parasheh edhe Kushtetuta postin e presidentit, Pacolli tha se do ta vazhdojë rrugën e nisur nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Jam më se i përgatitur që të çoj përpara idenë e tij (Rugovës) për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës.


“Jam më se i përgatitur që të çoj përpara idenë e tij (Rugovës) për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka shumë punë për të bërë dhe asnjëherë s’kam qenë më i gatshëm sesa tani për të vepruar”,
tha Pacolli.

Po të martën edhe kryeministri Hashim Thaçi thirri mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës. Para kabinetit të ri qeveritar, ai tha se ky koalicion i miratuar tashmë edhe nga Kuvendi, paraqet qeverinë me kredibile që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Kryeministri Thaçi tha se agjenda e punës së kësaj qeverie do të jetë demokratizimi, zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, si dhe procesi i integrimeve evropiane.

Kryeministri Hashim Thaçi.

“Do t’i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë të gjitha angazhimet që kemi marrë në përputhshmëri me legjitimitetin dhe vullnetin e qytetarëve të vendit. Kjo është qeveria që i duhet Kosovës, kjo është qeveria më kredibile që ka pasur në historinë politike Republika e Kosovës”
, u shpreh Thaçi.

Përveç angazhimeve në planin e brendshëm, faktori ndërkombëtar priti formimin e Qeverisë së Kosovës që të shtyjë përpara edhe nisjen e bisedimeve Kosovë - Serbi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Kosova do të jetë e përgatitur për këto bisedime, ndërkaq është shprehur kundër negocimit të ndonjë zgjidhjeje për veriun e Kosovës që nuk parashihet me Kushtetutë dhe me Pakon e Ahtisarit.

“Mendoj se Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit janë të përcaktuara qartë dhe janë të arritura pas një kompromisi të gjatë dhe pas bisedimeve të gjata që ishin në Vjenë, si dhe pas një zotimi të plotë të institucioneve të vendit, po edhe pajtueshmërisë ndërkombëtare. Tani kemi nevojë se si t’i rregullojmë raportet Kosovë - Serbi dhe t’i ndihmojmë rajonit për integrime në BE, por jo për raporte brenda Kosovës apo brenda Serbisë”,
theksoi Kuçi.

Ndryshe, zyrtarë ndërkombëtarë paralajmëruan si mundësi që Prishtina dhe Beogradi të nisin bisedimet qysh në prill. Tani pas formimit të Qeverisë, Prishtina besohet se shumë shpejt do ta caktojë dhe shefin e delegacionit për këto bisedime, si dhe do t’i formojë ekipet punuese.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG