Ndërlidhjet

logo-print

Korrupsioni në fushëbetejë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësues të Prokurorisë së Qarkut në Kosovë thanë se arsye për ekzistimin e një numri më të madh të lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin në Prishtinë, krahasuar me qytetet e tjera, është përqendrimi i punës së institucioneve qeveritare në kryeqytet. Organizatat FOL kërkoi largimin e politikës si mjet arsyetimi për dinamikën e deritashme në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.


Mbetja e luftës së korrupsionit vetëm në nivel retorik, po krijon mundësinë që korrupsioni të shtrihet edhe më tutje në Kosovë, vlerësuan gjatë publikimit të raportit “Monitoruesi i korrupsionit 2010”, përfaqësues të organizatës FOL.

Ata paraqitën në mënyrë statistikore punën, të cilën Qeveria, gjykatat, prokuroritë, policia dhe mekanizmat ndërkombëtarë në vend e kanë bërë përgjatë vitit të kaluar në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, Armend Mazreku nga FOL-i, theksoi rëndësinë për veprime më aktive kundër korrupsionit në mënyrë që, siç tha ai, korrupsioni të dalë nga fushëbeteja në mes të pushtetit dhe opozitës.

“Institucionet tona, por edhe partitë politike kanë dëshirë ta mbajnë korrupsionin në fushëbetejë politike. Andaj edhe opozita duhet të ketë një rol më konstruktiv në luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm të shprehë akuzat apo mosbesimin e saj në raport me luftën kundër korrupsionit. Do të ishte mirë që opozita të mendonte për t’i analizuar ligjet, kornizën ligjore, pastaj vendimet e Qeverisë dhe kështu me radhë dhe jo që kjo të mbetet vetëm në një betejë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës”,
u shpreh Mazreku.

Pjesëmarrësit e debatit që pasoi prezantimin e raportit vjetor të FOL-it, diskutuan për arritjet e mekanizmave përgjegjës në luftën kundër korrupsionit.

Nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, thuhet se gjatë vitit të shkuar ka pasur 281 raste nën hetime për korrupsion, prej të cilave të dërguara në Prokurori me kryes të njohur kanë qenë 142 raste, me kryes të panjohur 8 raste, ndërsa Prokurorisë thuhet se me raporte të veçanta i janë dërguar 163 raste.

Përfaqësues të Policisë së Kosovës njoftuan se deri më tani për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion janë arrestuar 58 persona, ndërsa kallëzim penal është ushtruar ndaj 362 personave.

Rreth 20 policë do të kryejnë hetime të veçanta për korrupsion përkrah 12 prokurorëve në kuadër të një task-force të formuar së fundi për luftën kundër korrupsionit në nivelin e qarkut dhe atë komunal.

Koordinatorja Kombëtare kundër korrupsionit, njëherazi prokurore e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, tha se Prokuroria e Qarkut dhe ajo Komunale në Prishtinë kanë më tepër se gjysmën e lëndëve, të cilat i kanë të gjitha prokuroritë e Kosovës.

“Kjo në njëfarë mënyre është e natyrshme nga fakti se në Prishtinë, si kryeqytet i Kosovës, janë të fokusuara dhe gjenden ministritë, institucionet rëndësishme. Këtu, në njëfarë mënyre fillon dhe përfundon çdo gjë”
, tha Hajdari.

Shqetësimet për ekzistimin e një shkalle të lartë të korrupsionit në Kosovë e kishin paraqitur gjatë vitit 2010 një varg organizatash ndërkombëtare.

Komisioni Evropian në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën vlerësoi se prokurimi publik mbetet fusha më korruptuar. Kjo e dhënë u mbështet edhe nga Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion.

Shefi i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në këtë agjenci, Burim Sadiku, sqaroi:

“Fushëbeteja më e madhe për luftën kundër korrupsionit ka qenë fusha e prokurimit publik, sepse prokurimi ofron mundësi për korrupsion në çdo nivel të qeverisjes. Çdo lloj organizate blen të mira dhe shërbime në sasi monetare shumë të mëdha dhe kontratat përfshijnë një blerës dhe një shitës dhe secili ka mundësi për t’u korruptuar”.
XS
SM
MD
LG