Ndërlidhjet

ICO: Shumë punë për të përmirësuar imazhin


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë uruar zgjedhjen e institucioneve të reja, ndërsa ua kanë kujtuar atyre detyrat e vështira që kanë përpara, në radhë të parë, përmirësimin e reputacionit të Kosovës. ICO dhe Ambasada Amerikane i bëjnë thirrje institucioneve të reja, që menjëherë të nisin shqyrtimin e reformës së gjerë zgjedhore.


Krahas urimeve për zgjedhjen e institucioneve të reja, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, ua kanë kujtuar liderëve kosovarë edhe detyrat e vështira që tash duhet t’i kryejnë.

Zyra Civile Ndërkombëtare ka thënë se tri vjet pas pavarësisë, institucionet e reja duhet të përmbyllin detyrat nga Pani i Ahtisarit.

Kjo, sipas zëdhënësit Endi MekGafi, bie mbi supet e të gjitha institucioneve të reja, pa përjashtim.

“Pikësëpari duhet që ta bëjnë bashkë popullin për ta çuar vendin kah hapat tjerë, tri vjet pas të pavarësisë. Mendoj se ne ndajmë vizionin për një Kosovë demokratike dhe multietnike që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”.

“Në mënyrë specifike, ICO-ja pret nga liderët e rinj dhe tërë Qeveria që t'i zbatojë reformat e parapara në propozimin gjithëpërfshirës”,
i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Endi MekGafi, i cili ia ka lënë Kuvendit të sqarojë nëse gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit, ishin shkelur procedurat kushtetuese, siç pretendojnë partitë opozitare.

Qeveria e Kosovës

“Kuvendi është përgjegjës për sjelljen e tij dhe kryetari i Kuvendit është personi që kryeson punët atje. Nëse njerëzit ndjejnë se ka pasur probleme me procedurat, atëherë ekzistojnë kanalet e duhura, përmes të cilave ata mund t’i adresojnë ankesat. Por, kjo nuk është një çështje, në të cilën ICO-ja e përfshin veten, kjo është çështje e Kuvendit”
, është shprehur MekGafi.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, Ambasada Amerikane i ka “uruar Kosovës dhe të gjithë atyre që janë zgjedhur për ta udhëhequr kombin”, përmbylljen e suksesshme të, siç është thënë, procesit epik të zgjedhjeve.

Kjo ambasadë thekson se tash është koha që Qeveria e re t’ia fillojë punës së qeverisjes, ndërsa shprehet se përqendrimi i kryeministrit Thaçi, në një agjendë substanciale, që përshkruan një vizion për të ardhmen e Kosovës, është “jashtëzakonisht i mirëseardhur”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka theksuar se thirrja e kryetarit Pacolli, për zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryetarit të Kosovës, “pasqyron një të kuptuar, që është i përbashkët për të gjitha forcat politike në Kosovë dhe një punë e hershme për këtë reformë do të jetë, po ashtu, shumë e mirëseardhur”.

Reformat zgjedhore është shprehur se i sheh si prioritet edhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Ndryshe nga ç’kërkoi një ditë më parë, presidenti i sapozgjedhur për reformim të Ligjit për zgjedhjen e presidentit, ICO-ja ka kërkuar një reformë të gjerë elektorale.

“Pas zgjedhjeve të përgjithshme ka pasur komente të ndryshme për Ligjin për zgjedhjet dhe nëse ai duhet të ndryshohet. Kjo duhet të merret parasysh nga Kuvendi dhe nga KQZ-ja dhe të shohim se çfarë përmirësimesh mund të bëhen. Mendoj se është një agjendë e gjerë e reformës zgjedhore që duhet të shqyrtohet në sesionin e ri të, në këtë sezon të ri politik”,
ka sqaruar Mekgafi.

ICO-ja ua ka kujtuar liderëve kosovarë se tash është koha e përmirësimit të imazhit.

“Duke marrë parasysh se Kosova shënoi disa hapa prapa, tash ka punë për të bërë, për të përmirësuar reputacionin e saj
”, ka theksuar Mekgafi.
XS
SM
MD
LG