Ndërlidhjet

logo-print

Libi: Protestuesit kontrollojnë disa qytete


Protestuesit antiqeveritarë kontrollojnë disa qytete në pjesën lindore të Libisë dhe ka raporte se diplomatët libianë masivisht po kthehen kundër Gadafit.

Kundërshtarët e këtij të fundit kanë konsoliduar kontrollin e Sirenaisës në afërsi të kufirit me Egjiptin. Në qytetet e Tobrukut dhe Bengazit ushtarët u janë bashkuar protestuesve.

Raportohet se dy pilotë të forcës ushtarke janë hedhur me parashutë duke i lënë aeroplanët të rrëzohen, në shenjë refuzimi me urdhrin e Gadafit për të sulmuar Bengazin, që njihet si qytet i opozitës.

Të shtëna me armë zjarri dëgjohen në kryeqytetin Tripoli, pasi dhjetëra përkrahës të Muamer Gadafit iu përgjigjen thirrjes së këtij të fundit “për të ndihmuar në shtypjen e protestuesve”.

Regjimi libian njoftoi për 300 të vrarë në protesta, përderisa Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut tha se kjo shifër arrin në 640.
XS
SM
MD
LG