Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Gjakderdhja në Libi është fyese



Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka kritikuar dhunën e forcave libiane kundër civilëve, duke e quajtur gjakderdhjen "fyese" dhe të papranueshme.

Në komentet e para publike të tij që nga fillimi i trazirave në Libi, Obama gjithashtu tha se autoritetet libiane duhet të japin llogari për shkeljet e të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë gjatë trazirave kundër regjimit të liderit Moamer Gadafi.

"Vuajtja dhe gjakderdhja janë fyese dhe të papranueshme. Të tilla janë edhe urdhërat për të vrarë protestues civilë dhe për të ndëshkuar popullin e Libisë. Aktet e këtilla i shkelin normat ndërkombëtare dhe çdo standard të ndershëm. Kjo dhunë duhet të ndalet", tha Obama.

Ai tha se administrata e tij planifikon të punojë me partnerët ndërkombëtarë për një përgjigje të unifikuar ndaj krizës libiane, dhe tha se ka urdhëruar ekipin e sigurisë kombëtare të përgatitë një varg opcionesh për Libinë.

Obama shtoi se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, do të udhëtojë javën e ardhshme në Gjenevë për të biseduar me përfaqësuesit e vendeve tjera lidhur me trazirat në Libi.
XS
SM
MD
LG