Ndërlidhjet

Obama: Gjakderdhja në Libi është mizori


Bengazi, 23 shkurt 2011

Bengazi, 23 shkurt 2011

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka kritikuar dhunën e forcave libiane kundër civilëve, duke e quajtur gjakderdhjen "mizori" dhe të papranueshme.

Në komentet e para publike të tij që nga fillimi i trazirave në Libi, Obama gjithashtu tha se autoritetet libiane duhet të japin llogari për shkeljet e të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë gjatë trazirave kundër regjimit të liderit Moamer Gadafi.

"Vuajtja dhe gjakderdhja në Libi janë mizore dhe të papranueshme. Të tillë janë edhe urdhrat për të vrarë protestues civilë dhe për të ndëshkuar popullin e Libisë. Aktet e këtilla i shkelin normat ndërkombëtare dhe çdo standard të ndershëm. Kjo dhunë duhet të ndalet", tha Obama.

Ai tha se administrata planifikon të punojë me partnerët ndërkombëtarë për një përgjigje të unifikuar ndaj krizës libiane.

“I kam kërkuar administratës sime të përgatisë një varg opsionesh për Libinë që kemi për t’iu përgjigjur krizës. Kjo përfshin veprimet që mund t’i ndërmarrim dhe ato që mund t’i koordinojmë me aleatët dhe partnerët tanë, apo përmes institucioneve multilaterale. Si të gjitha qeveritë, Qeveria e Libisë ka përgjegjësi të përmbahet nga dhuna, të lejojë ndihmat humanitare për ato që kanë nevojë”, tha presidenti amerikan.

Obama tha se ndryshimet në Lindjen e Mesme vijnë nga aspiratat e njerëzve, e jo nga jashtë.

Presidenti Barak Obama
“Ndryshimi që po ndodh në mbarë rajonin po bëhet nga njerëzit e rajonit. Ky ndryshim nuk është pasojë e punës së Shteteve të Bashkuara apo ndonjë fuqie të huaj. Ai i përfaqëson aspiratat e njerëzve, të cilët kërkojnë jetë më të mirë”,
tha Obama.

“Një libian tha: ‘Ne vetëm duam të jemi në gjendje të jetojmë si qenie njerëzore’. Kjo është aspirata më themelore që i prin këtij ndryshimi dhe gjatë tërë kësaj kohe të tranzicionit, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pas lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve”, tha presidenti amerikan.

Obama shtoi se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, do të udhëtojë javën e ardhshme në Gjenevë, për të biseduar me përfaqësuesit e vendeve tjera lidhur me trazirat në Libi.

Mijëra të huaj vazhdojnë të braktisin Libinë në kohën kur po intensifikohen përplasjet ndërmjet Moamer Gadafit dhe kundërshtarëve të tij që kërkojnë t'i japë fund sundimit 42-vjeçar.

Kundërshtarët e regjimit raportohet se e mbajnë kontrollin në zonat lindore të Libisë, përfshirë qytetet Bengazi dhe Tobruk, kurse forcat pro Gadafit përpiqen të kontrollojnë Tripolin dhe rajonet perëndimore.

Gadafi, i cili përballet me largimin e disa diplomatëve dhe elementeve të ushtrisë, është zotuar të shtypë revoltën e opozitës dhe të mbajë pushtetin.

Qindra njerëz besohet se janë vrarë në trazirat që shpërthyen javën e kaluar, por nuk ka informata të verifikuara.

Ndërkohë, shumë vende i vazhdojnë operacionet për evakuimin e shtetasve të tyre nga Libia, njërin nga prodhuesit më të mëdhej të naftës në botë.

Turqia tha se po e zhvillon evakumin më të madh në histori për t'i mbrojtur rreth 25 mijë punëtorët turq në Libi, kurse vendet e Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë hapa për t'i evakuar reth 10 mijë shtetasit e BE-së.

Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu përpiqen t'i evakuojnë mijëra shtetasit e tyre nga ky vend i Afrikës veriore. (v.p.)

Pamje amatore:

XS
SM
MD
LG