Ndërlidhjet

Krasniqi: S'mund ta kontestoj zgjedhjen e Pacollit


Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Presidenti i ri i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka marrë edhe zyrtarisht detyrën nga ushtruesi i deritashëm i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës, që është zhvilluar në kabinetin e presidentit të Kosovës, Pacolli tha se do ta vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin dhe kryetarin e legjislaturës, Jakup Krasniqi.

“Jo që jemi dy përfaqësues të dy institucioneve të rëndësishme të Kosovës, por ne jemi edhe miq të vjetër. Sot ishte një fillim i kësaj dite të punës, shumë i bukur, shumë i mirë, shumë i mbarë. Me z.Krasniqi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, do të bashkëpunojmë në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Krasniqi, kësaj radhe nuk dashi të flasë në lidhje me formën e zgjedhjes së presidentit. Për dallim nga seanca plenare, kur Krasniqi tha se pauza ndërmjet rrethit të dytë dhe të tretë të votimit, e kërkuar nga PDK-ja, ishte antikushtetuese, shkelje e rregullores së punës së Kuvendit dhe presion mbi deputetët për të ndryshuar rezultatin, kësaj radhe Krasniqi tha se Kuvendi e ka zgjedhur zotin Pacolli në postin e presidentit dhe ai nuk ka kompetenca që ta kontestojë vendimin.

“Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin zotit Pacolli për të qenë president i Kosovës dhe unë sot jam këtu për t’i uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat ashtu siç i jep Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet tona”, u shpreh Krasniqi.

Në insistimin e gazetarëve nëse Krasniqi ende qëndronte pas deklaratave kontestuese rreth formës së zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit, ai tha se interpretimi i fundit duhet të bëhet nga organet e pavarura, që në këtë rast nënkupton Gjykatën Kushtetuese.

“Unë nuk e kontestoj, nuk e kam detyrën dhe as përgjegjësinë për ta kontestuar vendimin e Kuvendit. Është çështja e institucioneve tjera të pavarura t’i kryejnë detyrat e veta konform ligjeve dhe Kushtetutës”, tha Krasniqi.

Të pakënaqura me formën e procedimit të votimit për presidentin e Kosovës në Kuvend, partitë opozitare kanë paralajmëruar tashmë edhe inicimin e çështjes për interpretim te Gjykata Kushtetuese.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se kjo kërkesë nuk i është drejtuar ende kësaj gjykate dhe se ajo është në shqyrtim e sipër nga organet e partisë.

Ne i kemi vërejtjet tona për procedurën dhe dyshojmë se ajo nuk ka shkuar sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës. Si grupi më i madh opozitar jemi duke e shqyrtuar e pastaj shohim”, tha Beqiri.

Presidenti Pacolli është zgjedhur në këtë post pas tri raundeve të votimit. Ndërsa në dy raundet e parë ai pati siguruar 54, përkatësisht 58 vota për, pas një pauze të kërkuar nga PDK-ja, në rrethin e tretë Pacolli siguroi 62 votat e mjaftueshme për president.

Mediat kanë raportuar edhe për çështjen e mesazheve telefonike që u tha se kishin ndikuar në ndryshimin e mendimit të deputetëve, por Krasniqi nuk i ka komentuar ato, duke thënë se ai personalisht atë ditë nuk ka dërguar mesazhe.
XS
SM
MD
LG