Ndërlidhjet

Dobësohet regjimi i Gadafit

  • RFE /RL

Protestuesit antiqeveritarë kanë ngritur flamujt e vjetër kombëtarë në qytetin Tobruk, 24 shkurt, 2011.

Protestuesit antiqeveritarë kanë ngritur flamujt e vjetër kombëtarë në qytetin Tobruk, 24 shkurt, 2011.

Protestat antiqeveritare janë përhapur në gjithë Libinë – nga kufiri me Egjiptin në lindje deri te kufiri me Tunizinë në perëndim – indikacione këto se struktura e regjimit të Muamer Gadafit është në prag të rrënimit.

Përderisa ndalimi i mediave të huaja në pjesën perëndimore të vendit ka komplikuar raportimin e ngjarjeve, mediat ndërkombëtare që mbulojnë Libinë nga kufiri me Egjiptin kanë konfirmuar se pjesa lindore e vendit është nën kontrollin e protestuesve dhe të milicisë antiqeveritare.

Gazetarët që udhëtojnë nga Egjipti drejt qyteteve lindore të Tobrukut, Bengazit dhe Al-Dabias thonë se forcat kundër Gadafit kanë nën kontroll gjithë zonën. Bëhet e ditur se ata kanë ngritur flamujt e monarkisë libiane, të cilën Gadafi e rrëzoi me grusht-shtet në shtator të 1969-ës.

Demonstruesit kanë festuar gjatë natës në qytetin Tobruk, pas tri ditësh konfrontimesh me forcat e sigurisë.

Forcat antiqeveritare pohojnë se kanë kontrollin edhe të Misratas, e cila gjendet rreth 225 kilometra larg Tripolit.

"Tobruku i lirë"
Fitoret vijnë pavarësisht fjalimit të Gadafit, i cili u zotua se do të luftojë “deri në pikën e fundit të gjakut”, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve “të pastrojnë” Libinë nga protestuesit.

Të shtëna me armë zjarri dëgjohen në kryeqytetin Tripoli, derisa përkrahësit e Gadafit – të mbështetur nga prania e mercenarëve të huaj – bredhin rrugëve. Shumë banorë të qytetit janë mbyllur në shtëpi dhe xhami nga frika e tyre.

Banorët i përshkruajnë mercenarët e huaj si “afrikanë të zinj” që flasin frëngjisht – çfarë ka çuar në spekulimet se shumë nga ta mund të jenë nga Çadi.

Sipas pohimeve të “New York Times”, qindra forca të tjera të Gadafit po lëvizin drejt kryeqytetit për të forcuar kontrollin e tij.

Mediat raportojnë se ushtria libiane ka vendosur numër të madh të trupave në Sabratah – rreth 80 kilometra në perëndim të kryeqytetit – pasi protestuesit atje kanë shkatërruar shumicën e zyrave të shërbimeve të sigurisë.

Regjimi i Gadafit pohon se të paktën 300 persona janë vrarë gjatë përpjekjeve për të shpërndarë protestat. Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut tha se kjo shifër mund arrijë mbi 600. Ndërkaq, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha para Parlamentit të Romës se shifrat për 1,000 të vrarë gjatë shtypjes së protestuesve janë të besueshme.

“Ne po ballafaqohemi me një situatë të rëndë, e cila është bërë edhe më serioze me synimet e Gadafit të shprehura në fjalimin televiziv, me urdhrin e tij për të qëlluar popullin, duke provokuar situatën e një lufte civile në zona, rajone dhe provinca të ndryshme të vendit. Në fund të kësaj, çmimi tragjik në çdo rast do të jetë gjakderdhja”, tha Fratini.

Gadafi që po e mban Tripolin me thonj, me gjithë rritjen numrit të viktimave, ka shtyrë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve kundër regjimit.


Perëndimi shqyrton sanksionet ndaj Libisë

Në takimin e diplomatëve të BE-së në Bruksel, Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar bllokut të miratojë masa kufizuese kundër qeverisë së Gadafit, përfshirë kufizimet e mundshme të udhëtimit, embargo të armëve dhe ngrirje të aseteve.

Diplomatët u pajtuan të diskutojnë masat dhe të vendosin për datën se kur ato mund të imponohen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se vuajtja dhe gjakderdhja në Libi janë mizore dhe se administrata e tij po shqyrton opsionet e përgjigjes.

“I kam kërkuar administratës sime të përgatisë një varg opsionesh për Libinë, të cilat i kemi për t’iu përgjigjur krizës. Kjo përfshin veprimet që mund t’i ndërmarrim dhe ato që mund t’i koordinojmë me aleatët dhe partnerët tanë, apo përmes institucioneve multilaterale".

"Si të gjitha qeveritë, Qeveria e Libisë ka përgjegjësi të përmbahet nga dhuna, të lejojë ndihmat humanitare për ata që kanë nevojë dhe të respketojë të drejtat e popullit të saj. Ajo duhet të jetë përgjegjëse për dështimin e saj për të përmbushur përgjegjësitë dhe të përballet me koston e shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut”,
tha presidenti amerikan.

Obama tha se do të dërgojë Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, në Gjenevë, për një takim të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për të koordinuar përgjigjen me aleatët.

Disa kanë kritikuar Obamën pse nuk ka folur më herët kundër goditjes së Gadafit, por zyrtarët thonë se kanë shtyrë reagimin për të siguruar se mijëra qytetarët amerikanë në Libi do të evakuohen në mënyrë të sigurt.

Zëdhënesi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, nuk përjashtoi përpjekjet për të krijuar një zonë të ndalim fluturimeve që të parandalojë Libinë nga sulmet ajrore kundër protestuesve. Ai e pranoi faktin se bisedimet ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje nuk do të jenë të lehta.

Zëvendësambasadori i Libisë në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Dabashi, i cili ka shkëputur raportet me regjimin e Gadafit, ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të imponojë zonën e ndalim fluturimeve.

Ai po ashtu tha se fjalimi i Gadafit në televizion nxjerr në pah një lider të dëshpëruar, i cili bën thirrje për akte gjenocidi nga përkrahësit e tij, duke i quajtur protestuesit “tradhtarë” që duhet të vriten.

Dabashi është njëri nga diplomatët e shumtë që është kthyer kundër Gadafit.

Më 22 shkurt, ministri i Brendshëm, Abdel Fatah Jonis, ka dhënë dorëheqje, duke iu kërkuar forcave të armatosura të vendit t’i bashkohen revoltës.

Vazhdon evakuimi i popullsisë...
Raportohet se dy pilotë të forcës ushtarke janë hedhur me parashutë, duke i lënë aeroplanët të rrëzohen, në shenjë refuzimi me urdhrin e Gadafit për të sulmuar Bengazin.

Korrespondenti i Reuters-it në Tobruk ka intervistuar oficerë ushtarakë që ishin të veshur ende me uniforma, por jo besnikë ndaj Gadafit. Këta trupa kanë bërë të ditur se pjesa lindore e Libisë nuk është më në duart e regjimit.

Në qytetin e Al-Daibas, AFP citon banorët lokalë të kenë thënë se luftëtarët e milicisë së Gadafit janë ekzekutuar.

Maha Azam, ekspert për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se ai parashikon fitore të opozitës.

Përderisa ka nisur i gjithë ky proces i protestave, do të jetë shumë vështirë të zbrapset... Ne do të shohim rritje eventuale të dhunës edhe për disa kohë. Për aq sa Gadafi ndjehet i zënë ngushtë, regjimi do të shembet vetvetiu. Përfundimisht, do të shfaqen zërat e opozitës që do të çojnë Libinë përpara”, tha Azam.

Ndërkohë, dhjetëra vende po bëjnë përpjekje të evakuojnë qytetarët e tyre nga Libia përmes rrugëve detare dhe ajrore.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë tha se është e domosdoshme për Tunizinë dhe Egjiptin të mbajnë kufijtë hapur për mijëra njerëzit që po largohen nga trazirat.

Në anën tjetër, çmimet e naftës vazhdojnë të pësojnë rritje, si pasojë e trazirave në Libi. Kjo e fundit eksporton më shumë se një milion fuçi naftë në ditë. (v.t.)

Pamje amatore:

XS
SM
MD
LG