Ndërlidhjet

Zgjedhja e Pacollit drejt Kushtetueses


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të duhet të jepte interpretimin nëse Behxhet Pacolli është zgjedhur sipas procedurave kushtetuese e ligjore në postin e presidentit. Ndërkaq, vetë presidenti Pacolli është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet çdo kërkese nga Gjykata Kushtetuese, por edhe ka shprehur besimin se ai është zgjedhur në mënyrë të rregullt në këtë post.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë përcaktues rreth çështjeve procedurale dhe rregullsisë së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Nisur nga deklaratat e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe tri partive opozitare, çështja Pacolli duket të mos jetë ende e mbyllur.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se presidenti Pacolli është zgjedhur me 54 vota, pasi votat që janë dhënë pas pauzës gjatë tre raundeve të votimit, janë vota të presionit.

Krasniqi ka thënë se ai i ka dorëzuar detyrën presidentit Pacolli pasi që ndiente obligim kushtetues. Kurse, qëndrimi i tij personal mbetet se për zgjedhjen e Pacollit, fjalën duhet ta japë Gjykata Kushtetuese.
Është e drejtë legjitime dhe vetëm e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar rregullsinë ose parregullsinë e asaj seance.

“Ne e kemi përmbyllur si Kuvend një proces dhe ne s’mund ta korrigjojmë vetveten. Është e drejtë legjitime dhe vetëm e Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar rregullsinë ose parregullsinë e asaj seance”
, ka deklaruar Krasniqi.

I bindur se çështja mund të drejtohet te Gjykata Kushtetuese, presidenti Pacolli ka thënë të premten se do t’i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese të kësaj Gjykate.

Pacolli i ka kundërshtuar deklaratat e Jakup Krasniqit rreth votave në Kuvend, duke thënë se është zgjedhur president i vendit me 90 për qind të deputetëve të pranishëm atë ditë në sallë.
Unë përfaqësoj dhe do të përfaqësoj unitetin e qytetarëve të Kosovës.


Unë përfaqësoj dhe do të përfaqësoj unitetin e qytetarëve të Kosovës. Unë kam kaluar me mbi 90 për qind të votave të deputetëve që ishin të pranishëm në sallë”, ka thënë Pacolli.

Për herë të parë Behxhet Pacolli ka folur edhe për mesazhet telefonike që ai ka shkëmbyer në ditën kur u zgjodh president, me një nga këshilltarët e tij dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë. Ai i ka cilësuar këto si mesazhe private.

“Është një çështje private mes meje dhe këshilltarit tim. Janë SMS krejt privat dhe për atë ekzistojnë këshilltarët”
, është shprehur Pacolli.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar sërish procedimin e kërkesës për Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar interpretimin në lidhje me zgjedhjen e Pacollit president.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo kërkesë mund të jetë gati për procedim qysh javën e ardhshme.

“Grupi punues është duke punuar në të dhe me kohë do ta procedojmë, do të thotë grupi i ekspertëve, dhe kjo besoj se do të jetë gati javën tjetër”,
ka theksuar Beqiri.

Kjo mund të jetë hera e dytë që Gjykata Kushtetuese të jetë vendimtare në çështjen e postit të presidentit të Kosovës. Në vjeshtën e vitit të kaluar, kjo Gjykatë pati interpretuar shkelje të Kushtetutës mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, çka ndikoi që Sejdiu të jepte dorëheqje.

Andaj, edhe në rastin Pacolli, dilemat dhe paqartësitë e ditës së votimit dhe zgjedhjes së tij, mbase mund të kenë si përgjigje definitive mendimin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese si autoriteti më i lartë i interpretimit të aktit më të lartë juridik në Kosovë.
XS
SM
MD
LG