Ndërlidhjet

Analistët: Bisedimet në kohë të papërshtatshme për vendin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Derisa në Prishtinë autoritetet kosovare kanë nisur përgatitjet për bisedimet me Serbinë, analistët politikë thonë se Kosova po hyn në këto bisedime pa e ditur agjendën e saktë se për çka do të negociohet. Ata, madje, konsiderojnë se fillimisht mund të mos ketë probleme, por ato do të shfaqen nëse bisedimet teknike rrëshqasin në ato politike.


Pas krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Bashkimi Evropian, ka kërkuar nga pala shqiptare që të nisë bisedimet me Serbinë.

Prishtina zyrtare është duke bërë përgatitjet për fillimin e dialogut me Beogradin për, siç thuhet, çështjet teknike.

Por, analistët politikë konsiderojnë se Kosova po hyn në këto bisedime pa e ditur agjendën e saktë se për çka do të negociohet.

Krenar Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit KIPRED, thotë se bisedimet me Serbinë po nisin në një kohë të papërshtatshme për vendin.

Krenar Gashi

“Kjo për dy arsye; e para se Kosova po kalon në një sërë krizash institucionale dhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare është në mëdyshje”.

“E dyta, vetë ideja për nisjen e këtyre bisedimeve nuk ka ardhur nga Kosova. Me fjalë të tjera, bisedimet janë plan i Bashkimit Evropian dhe i Serbisë, kurse Kosova është një palë në këto bisedime dhe domosdo duhet të futet në to pa qenë pjesë e një ekipi planifikues të këtyre bisedimeve”,
thotë Gashi.

Analisti tjetër politik, Halil Matoshi, parasheh se në pjesën e parë të bisedimeve nuk do të ketë problem si nga pala shqiptare, po ashtu edhe nga ajo serbe, pasi që, sipas tij, çështjet për të cilat do të diskutohen, do të jenë teknike.

Matoshi, madje, thotë se për një gjë të tillë nuk do të ketë as reagime nga opozita në Kuvendin e Kosovës.

Halil Matoshi

“Në pjesën e dytë kur do të ketë tema të ashtuquajtura politike, ose të nxehta, sigurisht që punët do të vështirësohen eventualisht nëse Beogradi insiston në prishjen e ekuilibrit në Kosovë, ose edhe cenimin e shtetit të Kosovës në çfarëdo varianti. Kur e them këtë, e kam parasysh posaçërisht veriun e Kosovës”
, vlerëson Matoshi.

Ndërkaq, Krenar Gashi thekson se aktualisht është e vështirë të thuhet nëse institucionet e Kosovës do të mund ta tejkalojnë ose jo këtë sfidë, pasi që, sipas tij, ende nuk dihet agjenda e këtyre bisedimeve.

Në këtë fazë është shumë e vështirë të parashikohet se si do të kalohet kjo sfidë. Sa do të jetë legjitim delegacioni i Kosovës të negociojë ose bisedojë me Serbinë dhe sa do të jetë përkrahja e spektrit politik për shkakun se nuk dihen termet e këtyre bisedimeve".

"Po hyjmë në një proces që, thjesht, nuk e dimë se në çfarë niveli po organizohen, cilat do të jenë temat e diskutimeve dhe çfarë bisedimesh në fakt janë këto dhe tejkalimi i sfidës varet nga këta faktorë
”, thekson Gashi, duke shtuar se për këto bisedime nuk janë të papërgatitura të gjitha palët.

Megjithatë, analisti Matoshi mendon ndryshe:

“Mund të themi se Kosova është e përgatitur, sepse disa tema do të jenë tema, të cilat janë mbarështruar dhe është diskutuar shumë edhe gjatë procesit të Vjenës. Po disa çështje teknike, siç quhen me gjuhën politike, do të jenë lehtë të tejkaluara dhe nuk do të duhej përgatitje kushedi se çfarë. Ndërsa, për çështjet politike sigurisht që Kosova do të ndërtojë strategji”.

Kosova ka ndërmarrë hapin e parë në kuadër të dialogut me Serbinë, duke emëruar kështu zëvendëskryeministren Edita Tahiri si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Bisedimet Kosovë-Serbi, si shtete sovrane
Bisedimet Kosovë-Serbi në mars?
Institucionet, agjenda, pastaj dialogu...
XS
SM
MD
LG