Ndërlidhjet

Sindikatat e përçara?


Nga protestat e mëhershme të punëtorëve për më shumë të drejta.

Nga protestat e mëhershme të punëtorëve për më shumë të drejta.

Sindikatat nuk do të reagojnë edhe nëse pagat në muajin mars do të jenë pa rritjen që u është premtuar nga Qeveria e Kosovës. Haxhi Arifi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se do të pritet deri pas miratimit të buxhetit të Kosovës. Por, Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se vendim i Qeverisë është i plotfuqishëm dhe pritja nuk duhet të stërzgjatet. Shemsi Reçica, sociolog, vlerëson se sindikatat janë të përçara dhe nën ndikimin politik.


Pamundësia, deri më tash, për miratimin e buxhetit të sivjetmë, ka bërë që marrja e pagave nga punëtorët e sektorëve të caktuar publik edhe në muajin mars të jetë pa rritjen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Sindikalistët në Kosovë thonë se nuk do të lëshojnë pe dhe se marrëveshja për rritjen e pagave duhet të realizohet, por ata nuk kanë paralajmëruar ndonjë reagim lidhur me mosrealizimin e vendimit të Qeverisë në fillim të marsit, ashtu siç u ishte premtuar.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se rritjen e pagave e presin pas miratimit të buxhetit. Sipas tij, reagimet sindikale do të pasojnë nëse rritja e pagave nuk realizohet pas miratimit të buxhetit.

“Sipas të gjitha gjasave, më 1 mars nuk do të realizohet kjo rritje e pagave. Gjatë marsit presim që të miratohet Ligji për buxhet, do të thotë, të miratohet buxheti dhe në bazë të kësaj, duhet të realizohet rritja në fjalë. Në qoftë se ndodh diçka, atëherë sindikatat do të jenë shumë të vendosura. Atëherë ne do të insistojmë në aplikimin e masave sindikale, në mënyrë që të realizohet marrëveshja, respektivisht vendimi lidhur me rritjen e pagave”,
thotë Arifi.

Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se e mbështet realizimin e vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, por, sipas tij, reagimet eventuale duhet t’i bëjë BSPK-ja.

“Kërkojmë që pagat të rriten. Është problem i Qeverisë se si do t’i gjejë modalitetet dhe formën e ngritjes së pagave. Nëse jo, atëherë, është hap i sindikatave, të cilat e kanë ndërmarrë një hap të tillë, i kanë nënshkruar marrëveshjet dhe ata duhet ta çojnë çështjen përpara. Ne sigurisht se do t’i përkrahim”,
shprehet Sejdiu.

Në anën tjetër, sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se nuk do të ketë ndonjë reagim qoftë nga punëtorët qoftë nga sindikatat, lidhur me mosrealizmin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në muajin mars.

Madje, sipas Reçicës, sindikatat janë të përçara, në përgjithësi.

“Përçarja e sindikatave i bie në sy çdo qytetari të thjeshtë dhe vetë punëtorëve, e lëre më njerëzve që i përcjellin zhvillimet në Kosovë. Premtimin e Qeverisë për rritjen e pagave nuk e kanë marrë seriozisht asnjë herë, as punëtorët, e as sindikatat. E kanë marrë me një mosbesim, qysh prej premtimit në fushatën parazgjedhore e deri më tash. Të gjithë janë të luhatur në mes asaj se do të paguhen ose jo rrogat e tyre. Për këtë arsye, nuk pres reagim të sindikatave, e as të punëtorëve dhe kjo çështje mund të zvarritet edhe disa muaj”, vlerëson Reçica.

Se ekziston përçarje ndërmjet sindikatave, këtë e pohon edhe Sejdiu nga KSLK-ja.

“Që janë përçarë, kjo po shihet se janë përçarë. Nuk ka koment... Për arsye se fillimisht marrëveshjet janë bërë në nivelin e federatave, e jo të konfederatave. A është ky ndikim politik? Unë nuk do të doja që të përzihem në çështjet e kolegëve të BSPK-së. Mund ta pyesni Haxhi Arifin konkretisht, i cili për çdo ditë premton se ‘ne do të presim’. Nuk ka pritje për vendimin, i cili është bërë i plotfuqishëm. Aty duhet të intervenohet dhe të zbatohet vendimi. Nuk mund t’i bësh lëshime një vendimi, i cili është marrë”,
potencon Sejdiu.

Por, Haxhi Arifi nga BSPK-ja thotë se nuk ka ndikime politike në sindikatë:

“Nuk ka politizim. Marrëveshja ka qenë shumë konkrete. Në momentin e miratimit të buxhetit, atëherë do të realizohet edhe marrëveshja. Kjo është ajo që duhet të bëhet dhe ne po presim për këtë”.

Ndërkaq, sipas sociologut Reçica, politizimi apo ndikimi i partive politike që janë në pushtet te sindikatat, është i vërejtshëm.

“Edhe më parë, kur janë mobilizuar punëtorët për kërkimin e të drejtave të tyre, për paga e të tjera, përfaqësuesit e sindikatave, në kontaktet e para me qeveritë kanë qenë shumë të vendosura për realizimin e të drejtave të punëtorëve”.


“Mirëpo, pas bisedave, që nuk kanë zgjatur shumë, ata janë tërhequr menjëherë. Kjo do të thotë që politika ka një ndikim jashtëzakonisht të madh te sindikatat. Ato nuk janë unike, nuk janë të vendosura që të shkojnë deri në fund me kërkesat e tyre për të drejtat e punëtorëve”,
thotë Reçica.

Sidoqoftë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar datën 3 mars ku do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës që edhe për muajin mars pagat të jepen sipas buxhetit të vitit paraprak.

Lexoni edhe këtë:

Pagat e ulëta largojnë punonjësit publikë

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG