Ndërlidhjet

Shala: Pacollin e zgjodhi koalicioni


Blerim Shala
Blerim Shala
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është përgjegjëse për zgjedhjen e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, partia juaj kundërshtoi zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është vendosur në qendër të debateve, për shkak të refuzimit tuaj për të hyrë në koalicion - gjë që thuhet se bëri zgjedhjen e presidentit Pacolli të pashmangshme...

BLERIM SHALA

Mendoj se objektivisht përgjegjësia për zgjedhjen e zotit Pacolli president të Kosovës u bie partive, të cilat kanë vendosur të bëjnë koalicionin, pra PDK-së së zotit Thaçi dhe AKR-së së zotit Pacolli.


Ata kanë vendosur në këtë mënyrë. Ne nuk kemi, siç thuhet në gjuhën popullore, as hak as hile në këtë proces.

Është e vërtetë që mbase edhe ne kemi mundur të jemi pjesë e koalicionit qeverisës, por si aleancë, në instancat tona vendimmarrëse, në kryesinë e partisë, në këshillin drejtues, kemi vendosur ta respektojmë parimin tonë. Origjina e së keqes politike në Kosovë lidhet me Qeverinë PDK-LDK, së cilës i ka prirë zoti Thaçi.

Nuk mund të ketë riparim të gjendjes po qe se sërish bëjmë koalicion me një parti të tillë apo hyjmë në një mekanizëm të tillë, i cili, sipas bindjes sonë, nuk mund t’ia sjellë të mbarën Kosovës.

Ne si aleancë, në mungesë të zotit Haradinaj, kemi respektuar instancat tona vendimmarrëse. Nuk mund të them assesi se një njeri, i cili gjendet në rrethana të tilla shumë të vështira, i cili sërish po përballet me drejtësinë e Hagës, edhe pse është shpallur i pafajshëm në prillin e 2008-ës, ka përgjegjësi për sukseset apo edhe dështimet tona.

Si aleancë, ne e kemi përgjegjësinë e plotë që nga korriku i vitit të kaluar; për çfarëdo që ka ndodhur në ndërkohë, përgjegjësia bie mbi ne si udhëheqësi e aleancës.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se do t’i adresoheni Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar atë që e keni cilësuar si shkelje të Kushtetutës. A e keni dërguar lëndën?

BLERIM SHALA
Jo, jemi në trajtim të kësaj teme. Mendoj se formulimi që ekzisiton aktualisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sa i përket përzgjedhjes së presidentit, është plot ambivalenca, plot mundësi të interpretimeve të ndryshme; megjithatë, aty nuk specifikohet që tri raunde duhet të zhvillohen brenda një dite, apo që duhet të zhvillohen një pas një. Ka akoma temë për shqyrtim.

Megjithatë, këtu do të isha pajtuar me ambasadorin Dell, thelbi i problemit në rastin e koalicionit PDK-AKR nuk është procedura, por është substanca, është përmbajtja. Ai flet se opozita duhet të përqendrohet në substancë shumë më tepër sesa në proceduara - ka të drejtë parimisht. Edhe substanca në këtë aspekt flet për një qeveri të paracaktuar për dështim. Mendojmë se kështu edhe do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, cili do të jetë qëndrimi i mëtejmë i AAK-së në Kuvend? Ju bojkotuat seancën kur u zgjodhën institucionet. Do të vazhdoni me bojkot?

BLERIM SHALA

Jo, jo. Normalisht, ne mendojmë që votuesit tonë na kanë përzgjedhur që t’i përfaqësojmë interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës. Vendi jonë është në Kuvendin e Kosovës.


Ne, si opozitë, do të mundohemi me mjete absolutisht demokratike t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës, të tregojmë nëse qeveria po bën gabime, se çfarë janë ato, çfarë karakteri kanë ato gabime - ta krijojmë një situatë shumë më të mirë për politikën kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, tashmë u përzgjodh shefja e ekipit në bisedimet me Serbinë. Zgjedhja e zëvendëskryeministres Edita Tahiri është parë nga Serbia si fakt se edhe Kosova pranon se do të flitet për çështje politike...

BLERIM SHALA
Sa u takon bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, pozicioni i aleancës është definuar qartë në verën e vitit të kaluar. Së pari, duhet që i tërë procesi të ecë përmes Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës është dashur të propozojë dhe ka të drejtë të propozojë këdo qoftë për shefe të ekipit të saj, por mendoj se do të ishte më mirë sikur të merrej edhe vota e Kuvendit të Kosovës.

Së dyti - këtë e di edhe prej burimeve të tjera - ekziston tashmë një draft-rezolutë në Kuvendin e Kosovës, e cila është dashur të miratohej, e me të cilën autorizohej Qeveria e Kosovës që t’i zhvillojë bisedimet me Beogradin.

Mendoj se prapë duhet t’i kthehemi asaj draft-rezolute dhe Parlamenti i Kosovës të autorizojë fillimin e këtij dialogu. Gjithsesi, çdo rezultat i këtij dialogu duhet të kthehet prapë në Kuvendin e Kosovës për miratim, sepse tema e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk është temë që i takon vetëm qeverisë, por shumë më tepër - Kuvendit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë roli do të ketë opozita në këtë proces bisedimesh?

BLERIM SHALA

Ne, nëse konsultohemi në kuadër të Kuvendit të Kosovës, do t’i ngremë shqetësimet tona. Gjithsesi, mendoj se në segmentin e dialogut Prishtinë-Beograd mund të ketë konsensus midis nesh, me përjashtime të rralla mund ta trajtojmë temën me pjekurinë e duhur.


Mund t’i definojmë vijat e kuqe, të cilat nuk duhet të kalohen nga ata që do të bisedojnë në emrin e Kosovës. Mund të kërkojmë natyrisht edhe një fuqizim të rolit tonë në raport me Brukselin, sepse Bashkimi Evropian do të jetë ndërmjetësuesi kyç në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe ne duhet të përfitojmë nga ky dialog.

Nuk është e drejtë që vetëm Serbia të marrë poena, nëse mund të them ashtu, apo të ketë përfitime nga bisedimet me Prishtinën, ndërsa Prishtina të ketë vetëm telashe.
XS
SM
MD
LG