Ndërlidhjet

logo-print

Agani: Prioritet, sigurimi shëndetësor


Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Ligji për sigurime shëndetësore ende nuk është miratuar në Kuvendin e
Kosovës. I sapoemëruari në postin e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, premton se në 100-ditëshin e parë të punës do të ripunohet ky ligj dhe do të dorëzohet për miratim.

Sipas tij, kjo është njëra nga çështjet prioritare që ministria e ka vënë para
vetes.

“Se pse deri më tash nuk ka arritur në Parlament, konsideroj se, përkundër avancimeve që janë bërë në punimin e tij, nuk reflekton nivelin e pritur dhe nevojat që ka sektori i shëndetësisë për një financim më bashkëkohor dhe më adekuat”, thotë ai.

Sipas zotit Agani, nuk mund të ketë reforma në sektorin e shëndetësisë pa jetësimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

“Me propozimin tonë që do ta bëjmë, nuk do të cenojmë fare buxhetin e Kosovës, por vetëm do të sigurojmë burime plotësuese financiare nga sektori joformal”, thotë Agani.

Në anën tjetër, sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se kanë ndikuar shumë faktorë në mosmiratimin e këtij ligji.

“Skema e sigurimeve shëndetëosre, e formës sociale çfarë është kjo, ka kundështuar në vazhdimsi mekanizmat ndërkombëtarë ekonomikë, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Dhe, është potencuar se ligji bazohet në ekonominë formale dhe një pjesë e madhe e ekonomisë informale mbetet jashtë”, thotë Tolaj.

“Për të funksionuar ky ligj, duhet të definohet mirë se nga do të akumulohet buxheti. Ne kemi thënë se implementimi i ligjit pas aprovimit do të jetë gradual, duke mos prekur pjesën ekzistuese të buxhetit dhe duke gjetur forma alternative”, shton Tolaj.

Zoti Agani thotë se zgjidhja që ai e ka përpiluar do të jetë mjaft funksionale. Sipas tij, nuk do të cenohet fare qasja e barabartë ndaj shërbimeve kualitative shëndetësore dhe atyre që janë nën asistencë sociale.

Shpresoj që viti 2012 do të na gjejë me një skemë të re të financimit dhe sektori publik do të jetë në një konkurrencë të barabartë me sektorin privat”, thekson ai.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, për një vit, shpenzimet e fondit për sigurime shëndetësore arrijnë shumën prej 296 milionë eurosh. Një gjë e tillë thuhet se e rëndon shumë buxhetin e Kosovës.

Por, zoti Agani thotë se me rishkrimin e ligjit të ri, kjo nuk qëndron kështu.

“Ato janë llogari që janë bërë në bazë të draft-ligjit të mëhershëm. Ne, me propozimin tonë, nuk do ta ngarkojmë buxhetin e Kosovës, por do të sigurojmë burime alternative”, thekson Agani.

Zyrtarët në Sindikatën e Shëndetësisë kanë reaguar disa herë, duke kërkuar miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate, thotë se konkludimet nga ana e qeverisë, se a është i aplikueshëm apo jo, janë më shumë hipotetike, sesa pragmatike.

“Edhe për Ligjin e punës është bërë një bujë e madhe dhe ja, nuk po ndikon shumë keq në Kosovë. Besoj se edhe Ligji për sigurime (shëndetësore) do të jetë në rrugën e vet të mbarë”, thekson Syla.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG