Ndërlidhjet

logo-print

OKB miraton sanksionet kundër Libisë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht rezolutën e sanksioneve kundër regjimit të udhëheqësit libian, Muamer Gadafi.

Rezoluta parasheh ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të aseteve të Gadafit, të rrethit të tij të brendshëm dhe të anëtarëve të familjes.

Ajo i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të hetojë shtypjen ndaj protestuesve antiqeveritarë dhe të ndjekë penalisht përgjegjësit për vrasjen e civiliëve. Rezoluta po ashtu përfshin embargo të armëve.

Zëvendësambasadori i Libisë në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Dabashi, tha se ky hap i Këshillit “do t’i japë përkrahje morale popullit që po reziston”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Suzan Rajs, tha se komuniteti ndërkombëtar ka folur me një zë.

“Kur mizoritë bëhen ndaj të pafajshmëve, bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë me një zë, ashtu si edhe sot. Sot, duke vepruar sipas Kapitullit 7, Këshilli i Sigurimit është bashkuar për të dënuar dhunën, për të ndjekur përgjegjësit dhe për të miratuar sanksionet e ashpra për udhëheqësinë e Libisë. Ky është një paralajmërim i qartë për qeverinë libiane se ajo duhet të ndalojë vrasjet”, ka thënë Rajs.

Votimi i OKB-së erdhi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, për herë të parë i bëri thirrje Muamer Gadafit të japë dorëheqje.

Obama tha se lideri libian ka humbur legjitimitetin e tij duke përdorur dhunën masive kundër popullit.

Besohet se qindra civilë kanë humbur jëtën në protestat që i bëjnë thirrje Gadafit të largohet pas 42 vjetësh në pushtet.
XS
SM
MD
LG