Ndërlidhjet

Buxhetit i mungojnë 400 milionë euro


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Qeveria e re, do të ballafaqohet me gjetjen e mjeteve për mbushjen e buxhetit për këtë vit, i cili ende nuk është miratuar, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, afër 400 milionë euro është mungesa e mjeteve materiale, të cilat janë paraparë në projekt-buxhet. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë, thonë se do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të mos vijë deri te mungesa e buxhetit.


Qeveria e re do të përballet me probleme të ndryshme në aspektin socio-ekonomik nga vonesa eventuale e miratimit të buxhetit për këtë vit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Kosova këtë vit e ka filluar pa buxhet të miratuar për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, në muajin nëntor të vitit të kaluar. Zyrtarë të Qeverisë së kaluar kanë thënë se kanë përgatitur projekt-buxhetin për këtë vit fiskal, por që zhvillimet politike kanë penguar miratimin e tij.

Sipas këtij projekt-buxheti, të hyrat e përgjithshme priten të jenë mbi 1 miliard 100 milionë euro, përderisa shpenzimet do të kalojnë shifrën prej 1 miliard e 300 milionë euro.

Por, Haki Shatri, analist ekonomik, thotë se problemi kryesor në këtë kuadër, është mungesa e mjeteve materiale, të cilat janë paraparë në projekt-buxhet.

Shatri përmend këtu mungesën eventuale të 70 milionë eurove të premtuara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe 300 milionë eurove të tjera që janë paraparë nga privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës.

“Pra, këto 70 milionë euro, nuk do të vijnë në buxhetin e Kosovës, për shkak se është shkelur marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa 300 milionë eurot, sepse vonesa në procedura normale për shpalljen e tenderit për shitjen e PTK-së, nuk arrihet që brenda këtij viti të realizohet shitja”.


“Pra, e kemi një mungesë prej 370 milionësh. Dhe, kjo do të sjellë deri te problemet me mungesën e buxhetit, e madje edhe deri te falimentimi i institucioneve të shtetit për mungesë të buxhetit”,
thotë Shatri.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se buxheti ka një diferencë të mjeteve në raport me atë që është paraparë të shpenzohen dhe atyre të grumbullohen, por që deri në fund të vitit, sipas tyre, ekzekutivi do të arrijë të mbajë një bilanc buxhetor dhe jo ndonjë deficit të madh.

Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre e Kosovës, beson se arka e shtetit do të mbushet nga të hyrat e Administratës Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Mimoza Kusari-Lila

Gjithashtu, thotë Kusari-Lila, do të shikohen mundësitë edhe me institucionet ndërkombëtare që kanë premtuar përkrahje buxhetore, që një gjë të tillë të realizohet.

“Por, duhet treguar një gatishmëri nga ana e jonë, për një administrim të drejtë dhe një reformim të politikave të përgjithshme, të cilat do të reflektonin në qasjen më të mirë të këtyre organizatave për përkrahje të buxhetit të Kosovës”.


“Ne do të mundohemi në maksimum që të mos të lejojmë të vijmë deri te mungesa e buxhetit, do t’i shikojmë alternativat tjera të financimit, gjegjësisht të plotësimit të buxhetit në mënyrë që mos të arrihet deri te kriza institucionale, e cila mund të jetë rrjedhojë e krizës buxhetore”,
sqaron Kusari-Lila.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se Qeveria e re, nuk do të arrijë që të ketë një buxhet të qëndrueshëm. Lidhur me këtë, Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë:

“Sigurisht që ka rrugëdalje, se këta në mënyrë të dhunshme e krijojnë rrugëdaljen edhe ata natyrisht se ata (qeveria) nuk frikësohen, sepse nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë”.


Në mungesë të buxhetit 2011, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në dy muajit e parë, shpenzimet buxhetore janë realizuar me 1/12 e buxhetit paraprak.

Kurse, për muajin mars, Qeveria ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të marrë vendim për ndarje të buxhetit edhe për këtë muaj.

Ndërkaq, në muajin e tretë, mbyllen të gjitha mundësitë ligjore për të vazhduar me shpenzime buxhetore pa buxhet të miratuar.

Lexoni edhe këto:
Sa e rrezikon buxhetin rritja e pagave?
Sigurimi i mjeteve për rritje pagash
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG