Ndërlidhjet

logo-print

Rritet presioni ndërkombëtar ndaj Gadafit


Britania i ka hequr imunitetin diplomatik Muamer Gadafit dhe familjes së tij, një ditë pasi Kombet e Bashkuara kanë miratuar sanksionet kundër Libisë.

Rezoluta, e miratuar unanimisht, parasheh ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të aseteve të Gadafit, të rrethit të tij të brendshëm dhe të anëtarëve të familjes. Ajo i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të hetojë shtypjen ndaj protestuesve antiqeveritarë dhe të ndjekë penalisht përgjegjësit për vrasjen e civilëve. Rezoluta po ashtu përfshin embargo të armëve.

Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, në një paraqitje televizive, i ka bërë thirrje Gadafit të japë dorëheqje.

“Populli i Libisë është ngritur kundër kolonelit Gadafi. Ne kemi këtu një vend që po shkon drejt luftës civile, me skena të tmerrshme të vrasjeve të protestuesve dhe me një qeveri që lufton njerëzit e saj. Andaj, është koha që kolonel Gadafi të largohet. Kjo është shpresa më e mirë për Libinë”, ka thënë Hejg.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i ka kërkuar Gadafit të largohet, ndërsa ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalu Çurkin, ka mirëpritur sanksionet kundër Libisë, të nevojshme, siç ka thënë ai, për të penguar luftën civile.
XS
SM
MD
LG