Ndërlidhjet

Rritja e besueshmërisë në drejtësi


Mitrovicë
Mitrovicë
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në paraqitjen e tij të parë para medieve, shpalosi prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. Ai pranoi se sistemi i drejtësisë ka para vetes shumë sfida, por që do të tejkalohen. Por, ish-drejtues të Ministrisë së Drejtësisë thonë se premtimet për ndryshime të mëdha janë vazhdimësi e premtimeve që nuk do të mund të realizohen.


Ministri i ri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dha zotimin se kjo ministri do të ndryshojë gjendjen e krijuar në drejtësi, për të cilën thuhet se nuk funksionon si duhet dhe ka nivel të lartë të korrupsionit.

Kuçi, në paraqitjen e tij të parë para mediave si ministër i Drejtësisë, pranoi se sistemi i drejtësisë ka para vetes shumë sfida.

“Mendoj se sfida më e madhe është që funksionaliteti i sistemit gjyqësor në Kosovë të rritet dhe në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë do të kontribuojë. Ne nuk do të ndërhyjmë në pavarësinë e Gjyqësorit, por do të ndihmojmë në efikasitet".

"Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë që të besojnë në Zot dhe në drejtësi. Dhe, perceptimi për drejtësinë duhet të ndryshojë. Qytetarët duhet të besojnë në drejtësi, ngase e drejta e tyre gjendet, mbrohet me ligj dhe mbrohet nga gjykata tona
”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përmendi gjithashtu se rifunksionalizimi i gjykatave në veri të Kosovës do të jetë, po ashtu, një nga prioritetet dhe do të punojë për ta zgjidhur atë problem.

Kuçi theksoi se për këtë çështje, do të bashkëpunojë edhe me autoritetet ndërkombëtare në vend.
Hajredin Kuçi

“Në këtë çështje do të jem jashtëzakonisht i përkushtuar. Besoj që këtu do ta kem mbështetjen edhe të faktorëve politikë relevant, po ashtu edhe të KFOR-it edhe të EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë”.

“Do të jem shumë i kujdesshëm në funksionalizimin e këtyre gjykatave me tri kritere; sistemin unik gjyqësor në Kosovë, ligjet e aplikueshme në tërë Republikën e Kosovës dhe hierarkinë e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga një qendër. Do të punoj shumë bashkë me stafin tim për zbatimin e plotë dhe të njëllojtë të ligjeve në tërë territorin e Kosovë”
, theksoi Kuçi.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, nga AAK, deklaratat dhe siç i quan ai premtimet e zotit Kuçi, i sheh si vazhdimësi të fushatës zgjedhore.

“Kam shumë dëshirë si qytetar dhe si ish-ministër që të gjitha këto që janë pika në sundimin e ligjit, ato premtime që i ka dhënë zoti Kuçi, të bëhen realitet. E gjithë ajo që flasin se do të bëjnë shumë dhe që ne nuk i kemi harmonizuar ligjet, është vazhdim i fushatës parazgjedhore, jo diçka që kanë të drejtë dhe që kanë mbështetje”,
u shpreh Salihaj.

Sipas Salihajt, institucionet e Kosovës nuk duhet të intereferojnë në sistemin e drejtësisë, pasi që, siç tha ai, një gjë e tillë ka ndodhur në Qeverinë e kaluar.
Duhet të plotësohen parakushtet, duhet të rritet numri i gjyqtarëve e prokurorëve.

“Nuk kemi shumë gjyqtarë e prokurorë. Ai numër vazhdon të jetë i vogël, kurse këta tash flasin për suksese shumë të mëdha që do t’i arrijnë. Duhet të plotësohen parakushtet, duhet të rritet numri i gjyqtarëve e prokurorëve. Duhet që ata t’i stimulojmë më mirë”.

“Ata nuk janë të mbrojtur, nuk mjafton vetëm t’u rritet paga. Dhe, po ashtu, sistemi i drejtësisë, gjegjësisht Gjyqësori, duhet të jetë plotësisht i pavarur, që të mos ketë ndikime politike. Qeveria e kaluar ka qenë karakteristike për ndikime në Gjyqësor”
, tha Salihaj.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, sistemi gjyqësor në veri të vendit nuk është plotësisht funksional dhe kjo është pasojë e mungesës së vullnetit politik, që edhe në këtë pjesë të vendit të realizohet ligji, vlerësuan analistët dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë.

Një çështje e tillë, por edhe niveli i lartë i korrupsionit në gjykata janë përmendur pothuajse në çdo raport të progresit nga Komisioni Evropian.

Për këtë çështje, ministri i Drejtësisë, Kuçi u shpreh se raporti i progresit do të jetë udhërrëfyes për të. Kuçi deklaroi se harmonizimi i ligjeve të drejtësisë do të jetë, po ashtu, në frymën e ligjeve të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG