Ndërlidhjet

logo-print

Gadafi i refuzon thirrjet për largim

  • RFE /RL

Ministrat e jashtëm nga vende të ndryshme të botës, të mbledhur në Gjenevë në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, kanë diskutuar krizën në Libi.

Ministrat e jashtëm nga vende të ndryshme të botës, të mbledhur në Gjenevë në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, kanë diskutuar krizën në Libi.

Raportohet se forcat lojale ndaj sunduesit në Libi, Muamer Gadafi, janë përpjekur për ta rimarrë kontrollin në qytetin Al-Zavijah, por kanë dështuar.

Ky sulm u bë derisa Gadafi, në një intervistë për gazetarët perëndimorë, kishte refuzuar thirrjet, gjithnjë e më të shpeshta ndërkombëtare, për dorëheqjen e tij, duke thënë se popullit të Libisë ai i pëlqen.

Në intervistën për BBC-në, ABC-në dhe “Times”-in londinez, Gadafi tha se e vetmja opozitë ndaj tij në Libi janë terroristët e huaj të al-Kaidës dhe të rinjtë e droguar libianë që po marrin urdhra nga al-Kaida.

Muamer Gadafi (Foto arkiv)
Muamer Gadafi ishte qeshur pas pyetjes së njërit prej gazetarëve perëndimorë se a do t’i dëgjonte zërat ndërkombëtarë, gjithnjë e më të fuqishëm, për dorëheqjen e tij.

Në këtë kuadër, ai theksoi se populli i Libisë e do atë dhe se ky popull është i gatshëm ta sakrifikojë jetën për regjimin e tij.

“Ata më duan mua. I gjithë populli është me mua. Të gjithë ata më duan. Ata do të vdesin për të më mbrojtur mua”,
tha Gadafi.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Suzën Rajs, vlerësoi se deklarata e Gadafit ishte mashtrim.

“Komentet e Gadafit tingëllonin jashtë realitetit. Gadafi mund të qeshë kur flet me gazetarë amerikanë e ndërkombëtarë, derisa po e masakron popullin e tij. Kjo vetëm dëshmon paaftësinë e tij për të udhëhequr dhe se sa i shkëputur është nga realiteti”, tha Rajs.

Ajo po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara po u afrohen grupeve opozitare në Libi. Njëherësh, Pentagoni i ka lëvizur luftanijet dhe aeroplanët afër Libisë.

Departamenti Amerikan i Thesarit i ka ngrirë afro 30 miliardë dollarë pasuri të regjimit të Gadafit në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët nga Uashingtoni po ashtu kanë zhvilluar konsultime me NATO-n për mundësinë e forcimit të propozim-rezolutës së OKB-së, që do të krijonte zonë të ndalim-fluturimeve mbi Libinë, në mënyrë që të parandalohen sulmet ajrore të forcave të Gadafit me aeroplanë luftarakë dhe helikopterë kundër protestuesve.

Në kuadër të presionit ndërkombëtar në rritje kundër regjimit të Gadafit përfshihen edhe sanksionet ekonomike dhe ato të armatimit, të imponuara nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania, Gjermania, Austria dhe nga vendet e tjera.

Bengazi, 1 mars 2011.
Mbrëmë në Gjenevë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Gadafi duhet të largohet, për ta shmangur gjakderdhjen e mëtejshme në këtë vend.

“Kolonel Gadafi dhe ata përreth tij duhet të mbahen përgjegjës për këto akte, që paraqesin shkelje të obiligmeve juridike ndërkombëtare. Me anë të aksioneve, ata e kanë humbur legjitimitetin të qeverisin dhe populli i Libisë këtë e ka bërë të qartë. Është koha për Gadafin të largohet, pa dhunë të mëtejshme apo vonesë”, tha Klinton.

Por, zëvendësministri i Jashtëm i Libisë, Khaled Kaim, është kërcënuar edhe me më tepër sulme ushtarake nëse liderët opozitarë refuzojnë të tërhiqen nga kërkesat e tyre për dorëheqjen e Gadafit.

Ai po ashtu tha se regjimi i Gadafit po përpiqet të punojë me liderët fisnorë dhe intelektualë për ta stabilizuar situatën.

“Nëse të gjitha përpjekjet për dialog social dhe mirëkuptim të dyanshëm janë shpenzuar, nëse intelektualët, krerët e fiseve dhe populli i mençur dështon në sigurimin e stabilitetit dhe paqes, atëherë do të përdoren forcat me udhëheqje shumë të mirë”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Libisë, Khaled Kaim. (f.b.)

XS
SM
MD
LG