Ndërlidhjet

Bisedimet, jo pa bekimin e Kuvendit


Foto ilustruese - Një nga mbledhjet e kabinetit qeveritar të Kosovës.

Foto ilustruese - Një nga mbledhjet e kabinetit qeveritar të Kosovës.

Bisedimet me Serbinë, qoftë të karakterit teknik, apo edhe politik, sipas analistëve kosovarë, duhet të marrin së pari bekimin e Kuvendit.

Qeveria ka emëruar, ditë më parë, zëvendëskryeministren Edita Tahiri si shefe të ekipit kosovar, por ende nuk janë caktuar grupet e ekspertëve që do përfshihen në bisedimet, për të cilat Prishtina insiston se do jenë teknike.

Analisti Ardian Arifaj thotë se pa marrë parasysh natyrën e bisedimeve, Kuvendi i Kosovës duhet të jetë ai që harton strategjinë dhe jep dritën jeshile për bisedimet.

”Me një demokraci parlamentare, çfarë po mëtojmë të ndërtojmë në Kosovë, Kuvendi duhet të ketë fjalën përfundimtare. Kjo vlen njësoj edhe për bisedimet me Serbinë. Aty, Kuvendi duhet të jetë instanca e parë, e cila do ta miratojë një platformë dhe do të japë një leje se a mund dhe për çka duhet të bisedohet... Mandej, të fillohen bisedimet”, thotë Arifaj.

Një ditë më parë, opozita kërkoi fuqizim të rolit të Kuvendit në bisedimet, ndërkaq kryeparlamentari tha se Kuvendi i Kosovës duhet t’i përcaktojë kornizat e bisedimeve të ardhshme me Serbinë.

Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se Kuvendi do të ketë rol, por jo të drejtpërdrejtë. Ai thotë se qeveria duhet ta marrë pëlqimin edhe të opozitës në lidhje me bisedimet.
Qeveria do të duhej të paraqiste një platformë dhe të siguronte përkrahjen edhe të opozitës në Parlamenet, që këto biseda të zhvillohen në parapaskenë, meqë janë teknike.

“Qeveria do të duhej të paraqiste një platformë dhe të siguronte përkrahjen edhe të opozitës në Parlamenet, që këto biseda të zhvillohen në parapaskenë, meqë janë teknike. Ndoshta nuk do të raportohet për cdo gjë, por së paku grupet tjera parlamentare të jenë të informuara. Një lloj konsensusi para bisedimeve do të duhej të ekzsitonte. Opozita ka të drejtë që këkron përmes Parlamentit të zyrtarizohet një platformë”, thekson Maliqi.

Zyrtarët e qeverisë, ndërkaq, mëtojnë të mos u japin ndonjë peshë të madhe bisedimeve, duke i quajtur ato të karakterit teknik. Por, analisti Ardian Arifaj thotë se për shkak të problemit politik të pazgjidhur me Serbinë, çdo dialog shndërrohet në politik.
Mes Kosovës e Serbisë asgjë nuk do të jetë teknike, çdo gjë do të jetë politike. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë tërë kohën.

Deri tash, nuk ka pasur bisedime teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha kanë qenë bisedime politike. Edhe çështjet që nuk janë teknike, por humanitare, si ajo e personave të pagjetur, janë të politizuara. Për këtë shkak është e nevojshme të merret leja nga Kuvendi i Kosovës, sepse mes Kosovës e Serbisë asgjë nuk do të jetë teknike, çdo gjë do të jetë politike. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë tërë kohën“, thotë Arifaj.

Analistët shfaqin drojën se në këto bisedime nuk do të lihet pa u prekur edhe veriu i Kosovës, i cili vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se çështja e statusit nuk do të preket në këtë dialog, duke siguruar se veriu nuk do t’i ndahet Kosovës. Megjithatë, Shkëlzen Maliqi mendon se ndarje nuk do ketë, por dhënie të një statusi të veçantë po.

Ndoshta, në instancën e fundit, mendoj se mund të bëhet ndonjë lëshim, jo territorial, jo që Kosova të ndahet, sepse kjo as që duhet të diskutohet... Disa po e përmendin një status që mund të jetë ndryshe nga ai i komunave tjera, disa e quajnë ‘Ahtisari Plus’, por nuk duhet ta paragjykojmë këtë si negative, ose që do ta shkatërronte Kosovën”.

“Nëse do të bëhej ndonjë marrëveshje, që të njëjtin status ta ketë Presheva dhe Bujanoci, kjo do t’i ndihmonte shqiptarët andej dhe do të krijonte situatë mirëkuptimi
”, thotë Maliqi.

Dialogu, që është miratuar në parim nga liderët e të dyja vendeve dhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare edhe përmes një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vjeshtën e vitit të kaluar, është menduar të nisë si një lloj bashkëpunimi dhe të relaksojë raportet e ngrira ndërmjet Serbisë dhe shtetit më të ri, Kosovës.

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, i ka porositur kosovarët që para se të hyjnë në bisedime, të saktësojnë se çfarë duan të nxjerrin nga ato, për të mirën e qytetarëve kosovarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG