Ndërlidhjet

Byhler: Nuk pres probleme të sigurisë


Erhard Byhler

Erhard Byhler

Në prag të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë kanë përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë, si rrjedhojë e rezultateve eventuale që do të arriheshin gjatë këtij procesi.

Edhe pse situata në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i autoriteteve vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të misionit të NATO-s në vend shprehën bindjen se në mesin e banorëve të veriut është rritur interesimi për përmirësimin e gjendjes aktuale.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler, tha se ekzistojnë vetëm raste të veçanta të njerëzve që duan ta mbajnë të pandryshuar situatën në veri.
Pres që të gjithë njerëzit ta shohin anën pozitive të këtij procesi dhe të jenë të interesuar për rezultate pozitive.

“KFOR-i do të jetë i përgatitur. Mendoj se nuk do të jetë e nevojshme, sepse më duket se të gjithë njerëzit e dinë se sa i rëndësishëm do të jetë dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit për të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, pres që të gjithë njerëzit ta shohin anën pozitive të këtij procesi dhe të jenë të interesuar për rezultate pozitive”.

“Mund të ketë disa njerëz që nuk janë të interesuar në rezultate pozitive, sepse janë të interesuar në gjendjen aktuale, në të cilën më mirë mund t’i realizojnë bizneset e tyre, por mendoj se këto janë raste të veçanta”,
tha Byhler.

Veriu i Kosovës është shpallur tashmë fokus i veprimeve të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë. Që nga e marta, KFOR-i do të jetë prezent në veri me të ashtuquajturën “Njësi të Përbashkët Rajonale për Veriun”. Ndërsa, lidhur me veriun, ky mision kohë më parë hartoi një strategji të përbashkët me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, me qëllim të përmirësimit të situatës së sigurisë atje.

Byhler tha se roli i KFOR-it në kuadër të kësaj strategjie është krijimi i një ambienti të përshtatshëm, në të cilin Policia e Kosovës do të mund ta kryejë punën e vet edhe në veri.

KFOR-i nuk është polici, KFOR-i mund të punojë në krijimin e një ambienti të sigurt, ku policia mund ta kryejë punën e vet. Mendoj se së bashku me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, kemi arritur mjaft që nga muaji tetor, kur ka nisur operacioni. Kjo mund të nxirret nga të dhënat statistikore - ka një ulje të shkallës së kriminalitetit, kam përshtypjen se njerëzit ndihen më të sigurt në veri”, theksoi gjenerali gjerman, i cili foli edhe për reduktimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it në Kosovë.

Aktualisht, ky mision ka të angazhuara rreth 7000 trupa, ndërsa duke nisur nga marsi ky numër pritet të shkojë në rreth 5000 ushtarë. Gjatë fazës së reduktimit, KFOR-i do të vazhdojë transferimin e kompetencave tek autoritetet vendore të sigurisë dhe do të mbikëqyrë edhe më tej punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mirëpo, as në KFOR e as në NATO nuk duket se ekziston ndonjë afat kohor për veprimin e FSK-së si ushtri e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, Byhler, tha se për këtë do të jetë i nevojshëm edhe pajtimi i shteteve të rajonit.
Duhet të punojmë për t’ua bërë të qartë fqinjëve në rajon që kjo forcë e sigurisë i shërben mbrojtjes së popullit kosovar dhe se nuk përbën asnjë kërcënim për dikë në rajon.

Pyetja: ushtri apo jo - nuk shtrohet ende. Ju e dini që Forca e Sigurisë së Kosovës është formuar si forcë e armatosur lehtë. Do të duhet kohë për të ndërtuar besim në rajon dhe më duket se duhet të punojmë në këtë drejtim”.

“Duhet të punojmë për t’ua bërë të qartë fqinjëve në rajon që kjo forcë e sigurisë i shërben mbrojtjes së popullit kosovar dhe se nuk përbën asnjë kërcënim për dikë në rajon. Kur të jetë diskutuar mjaft ky aspekt dhe kur të jetë i pranuar nga të gjithë, atëherë mund të mendohet për detyra të reja. Atëherë, do të jetë gjithçka e mundshme
”, u shpreh ai.
XS
SM
MD
LG