Ndërlidhjet

Putini në Beograd - kthim i Rusisë në Ballkan?


Vladimir Putin
Vladimir Putin
Kryeministri rus, Vladimir Putin, më 23 mars shkon për vizitë në Beograd. Vizita koinçidon me datën e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Janë të shumta pyetjet dhe dilemat që shtrohen rreth qëllimit të vizitës së
Putinit në Beograd.

Zijad Beqiroviq, analist nga Instituti për studime ndërkombëtare ballkanike, duke komentuar vizitën e Putinit në Beograd, vë në pah paqëndrueshmërinë e lojës diplomatike serbe në katër rrafshe.

“Politika e jashtme e Serbisë është shumë brengosëse. Është e pamundur që të realizohen postulatet e saj, që, sipas udhëheqësve të Serbisë, mbështeten në katër shtylla – te Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina".

"Nuk ka shtet, veçanërisht i kapaciteteve të vogla siç është Serbia, me ekonomi të shkatërruar dhe rrethana jostabile politike, që zhvillon politikë të ngjashme. Rrjedhimisht, mendoj se disa analistë, me të drejtë, këtë politikë të jashtme e cilësojnë skizofrene”,
thotë Beqiroviq.

Ai shton se Rusia, me të gjitha mjetet, synon t’i pamundësojë Serbisë përfshirjen në NATO, ndonëse edhe vetë Beogradi është përcaktuar për politikën e neutralitetit.

Vizitën e Putinit e sheh në kontekstin më të gjerë strategjik të Moskës në Ballkan:

“Kemi të bëjmë me kthimin e sërishëm të Rusisë në Evropën juglindore, më saktësisht në Ballkan. Në këtë rajon kemi konfrontim të fuqive të mëdha – të Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe kohëve të fundit të Turqisë. Në këtë kontekst duhet vështruar vizitën e Putinit".

Nga bombardimet e NATO-s në Beograd....
"Janë dy korridore strategjike që janë esenciale për Rusinë, nga të cilat ajo nuk heq dorë – dalja në Gjirin Persik, për çfarë ka marrëdhënie të mira me Iranin, dhe korridori për dalje në Mesdhe dhe Adriatik. Shi për këtë, Rusia ka marrëdhënie të mira jo vetëm me Serbinë, por edhe me tjerët, veçanërisht vendet bregdetare të Ballkanit”,
thotë Beqiroviq.

Eksperti tjetër, Radosllav Stojanoviq, ish-diplomat serb dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare, pohon se gara ndërmjet Rusisë dhe NATO-s vazhdon në të gjitha hapësirat. Ai sheh simbolikë të fuqishme në datën e vizitës së Putinit në Serbi.

“Kuptohet që mbështetja e Rusisë kur Serbia bombardohej ka nxitur simpati në Serbi ndaj Moskës. Është fare e qartë se aktualisht te populli serb ka më shumë simpati se kurdoherë ndaj Rusisë. Madje, Putini është njëfarë lideri kombëtar i serbëve".

"Shi për këtë, ai vjen në këtë datë, që sërish të tregojë se Rusia ishte kundër bombardimit dhe se ishte në anën e Serbisë”,
vlerëson Stojanoviq.

I pyetur nëse vizita e Putinit një ditë para përvjetorit të bombardimeve të NATO-s simbolikisht ka mesazhin drejtuar Serbisë se nuk duhet të hyjë në Aleancën Veriatlantike, Stojanoviq thotë:

“Mendoj se Putini gjatë bisedimeve me liderët e Serbisë këtë do ta thotë hapur – pra se Serbia nuk duhet të hyjë në NATO”.

Por, analisti rus i gazetës moskovite “Komersant”, Genadij Sisojev, te data e vizitës së Putinit nuk sheh simbolikë të fuqishme.

“As Serbisë dhe as Rusisë nuk i konvenon që kjo vizitë të ketë kontekst anti-NATO, sepse Moska bashkëpunon me Aleancën Veriatlantike dhe as Serbia nuk është në rivalitet me NATO-n. Rusia, në parim, është kundër zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, por rreth kësaj çështjeje nuk ka qëndrim agresiv".

"Ka disa vende që kohëve të fundit kanë hyrë në NATO, por me të cilat Rusia ka bashkëpunim të mirë”,
thotë analisti rus, Sisojev, për të konkluduar se vizita e Putinit në Serbi qëllim kryesor ka çështjet ekonomike ndërmjet dy vendeve. (m.k.)
XS
SM
MD
LG